Letra për Holandën/ Kisha Katolike u tërheq veshin ministreve: Pse flisni në emër të shqiptarëve?

Letra që tetë ministret e qeverisë Rama i dërguan qeverisë së Holandës nuk është pritur aspak mirë nga Kisha Katolike shqiptare. Për këtë institucion janë absurde disa vlerësime që këto ministre në emër të shqiptarëve kanë bërë sa i përket politikave të shtetit holandez.

Kisha Katolike befasohet nga fakti se ministret kanë vlerësuar politikat holandeze, kur aty lejohet aborti dhe martesat e të njëjtës gjini.

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, George Frendo, mendon se është detyrë edhe e ministreve të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj, ndërsa habitet se si ato mund të jenë dakord për vrasjen e foshnjave të pa lindura nëpërmjet abortit.

Reagimi i plotë:

RRETH LETRËS SË MINISTRAVE GRA

Mons. George Frendo,

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit

Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit holandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë “nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë”.

Më poshtë shkruajnë: “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. E pse? Sepse “ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin” dhe “keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001”.

Disa komente. “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave?

Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Holandës që ka legalizuar martesën e së njëjtës gjini.

Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?

Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!