Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lëvizja e Dhjetorit nuk është e PD, por PD është e Lëvizjes së Dhjetorit
Alfred Lela
Ngjarjet në Shqipëri janë si teleferik difektoz, që shkon të përpjetës së malit me tundje e dridhje, herë bën para, e herë bën mbrapsht. Përveç antropologjisë, që përshkruan aq mirë maksima e Churchill-it 'Ballkani prodhin më shumë histori ngjarje se sa mund të konsumojë', me mbizotërimin e teknologjisë së informacionit, është shumëfishuar përhumbja e 'njeriut shqiptar' në vortexin e çmendur të ngjarjeve dhe pseudongjarjeve.
Pa harruar kurrë, se beteja e rreptë e informacionit në Shqipëri është pjesë e luftës së paepur për zotërim ekonomik. Pra, propaganda që të bën ta mbash apo ta marrësh pushtetin politik, dhe nëpërmjet tij të kontrollosh fijet e atij ekonomik.
Paranteza na ndihmon për të kuptuar se pse, çdo fillimdhjetor, më datë 8, kur përkujtohet demonstrata e studentëve dhe punëtorëve, e pagëzuar si Lëvizja e Dhjetorit, dhe me datë 11 kur Partia Demokratike feston aktin e themelimit, ngrihet një shtjellë debati dhe pezmi kundërthënës. Një palë kapet pas origjinalit të Lëvizjes së Dhjetorit, një palë pas replikës, dhe një palë më shumë shpik edhe një kopje të tretë.
Ekziston, prej kohësh, edhe një tufë të mënuarish, të mënjanuarish, të zemëruarish të cilët kanë qenë pjesë e atyre ditëve historike, në radhë të dytë, të tretë, apo në fund fare, por padyshim mu afër kraterit të vullkanit të ngjarjeve, të cilët argumentojnë disentin e tyre. Herë me të drejtë, herë jo.
Laboratori përthithës i ngjarjeve kërkon një shpjegim, sidomos të palës së tretë dhe të katërt, sepse në pikëtakimet, herë rastësore e herë të kërkuara, e të dyjave, prodhohet edhe një koktej inkoherence dhe marrëzie.
Eshtë përpjekja e elementëve të së majtës së re, atyre që quhen progresistë (bijtë dhe nipërit e përparimtarëve të dikurshëm) për të prodhuar një variant të ri të Lëvizjes ku kanë gisht dhe frymë edhe ata.
Iu intereson ky bisht, dhe ia ngjisin, si ngjarjeve edhe vetes. Ka njerëz që nuk u vjen turp pse janë me bisht.
Po të doni një portret për ta ngjitur në murin ku e kemi tashmë kuadratin e zamkut, merrni atë të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Nuk jam dakord me të gjitha sulmet që ai merr, dhe mendoj se më shumë e ndihmojnë, sa e dëmtojnë. Siç nuk jam dakord me permanent shoë që z. Veliaj bën në atelienë e hapur të Tiranës. Pantomima e organizuar prej Bashkisë, por besoj nën kujdesin e tij personal, në përkujtim të Lëvizjes së Dhjetorit është një kapërcim i tillë. Pa thelb. I kërkuar. Shtinjak. Kundërproduktiv. Vetëdemaskues.
Ngjante e gjitha me një arnë në shpinën e historisë, të cilën Shqipëria e ka ndërkohë zhele-zhele me qinda pretendime.
Eshtë pjesë e një skenari të porno-propagandës së progresistëve të pushtetit të majtë (bijtë dhe nipat e përparimtarëve të djeshëm komunistë), për ta zhveshur të djathtën, edhe prej një momenti historik ku ajo ka shërbyer aktin themelues.
Jo pa qëllim, përmendja e datave në krye të shkrimit, 8 dhe 11 dhjetorit. Ka një afërsi të tillë mes tyre sa frymëmarrja e njërës mund të ndjehet prej tjetrës. Lëvizja e Dhjetorit dhe Partia Demokratike janë të bashkëlidhura, siç janë ditët e para të çdo zanafillë.
Mund të thuhet pos kësaj, se Lëvizja e Dhjetorit nuk është e PD; me të njëjtën siguri që duhet thënë se PD është e Lëvizjes së Dhjetorit.