Lëvizja studentore është vetëm në fillimet e saj

Agred Tafaj*

Lëvizja studentore është vetëm në fillimet e saj. Ne, studentët kemi kuptuar se sa të vonuar e të munguar paskemi qenë për shoqërinë. Hap pas hapi, lëvizja jonë do analizohet dhe vlerësohet, por dhe do t’i tregojë vlerat e veta. Qytetarët e thjeshtë, deri tek intelektualët më të spikatur, mesa duket nuk janë çliruar akoma nga mentaliteti i frikës dhe i nënshtrimit. ‘Macja e zezë’ për ta është politika. 28 vjet, shumëkush e ka parë dhe përdorur politikën si biznesin më fitimprurës, deri te mundësia për të mbijetuar, për të marrë ajër e diell. Politika për qytetarët është një mekanizëm i egër, që të lë pa bukë, të lë pa ujë, pa drita dhe pa shkollë. Protestat tona, në këtë fazë që janë, kanë ngjallur më shumë shpresë te të mundurit, te humbësit, dhe te të dështuarit.

Ne i kemi kërkuar Qeverisë të plotësojë 8 kërkesat dhe pa negociata. Makineria e komplikuar, jo vetëm e propagandës mediatike, por dhe e emisarëve në terren, nuk duan të kuptojnë këmbënguljen e studentëve për mos negocim. Të gjithë ne jemi të bindur se kërkesat janë formuluar thjesht dhe qartë, pasi ato janë të shprehura kryesisht në shifra. Rritja e buxhetit- shifër; përgjysmimi i tarifave- shifër; përfaqësimi në përqindje- shifër; vendosja e një përfaqësuesi në Bord Administrimi, përsëri shifër. Studentët e kanë bërë të qartë se, pasi Qeveria t’a mendojë ligjin për buxhetin dhe ligjin për Arsimin e Lartë, atëherë do mund të negociohet, jo më në nivel kombëtar, por në nivel universitetesh e fakultetesh, me pjesëmarrjen e studentëve dhe drejtuesve të këtyre universiteteve. Dhe kjo bëhet e mundur pikërisht me plotësimin e kërkesave tona, pasi do jenë paratë dhe do kemi mundësi të përfaqësohemi në vendimmarrjet e universitetit dhe fakultetit.

Pse jo pjesëmarrjes së partive në protestë?

Konotacioni i fjalës ‘politikë’ dhe ‘politikanë’ sot është i ngarkuar me të gjitha përgjegjësitë dhe pasojat e krizës morale, shoqërore dhe ekonomike të qytetarëve tanë. Kushdo që mendon se protesta mund të zgjidhë këtë krizë në këtë moment gabohet. Sfida jonë më e madhe, por jo vetëm e studentëve, por edhe çdo intelektuali të ndershëm është t’a mbrojmë këtë lëvizje nga kthetrat e politikës, të mazhorancës dhe opozitës. Nëse protestat tona ja dalin me sukses në përmbushjen e 8 kërkesave, pa negociata dhe pa parti, une besoj se ky do të jetë vetëm fillimi i transformimeve shoqërore në vendin tonë.

Suksesi i protestës, së pari vret frikën te qytetarët, atë që se vramë dot për 28 vjet. Lëvizjet e Dhjetorit të parë sollën pluralizmin, por nuk sollën demokracine e pritur nga qytetarët. Protestat e Dhjetorit të dytë do të hapin një horizont të ri për riformulimin, riformatimin dhe riqëndrimin ndaj demokracisë, duke goditur tek ajo kontraktimin dhe kompromentimin që trashëgoi gjatë këtyre 28 viteve.

Shokët e mi dhe unë i bëjmë thirrje të gjithë prindërve, të rinjve, intelektualeve të vendit, t’i mbrojnë protestat tona nga vrasësit e shpresës për të ardhmen.

 *Një ndër mijëra protestues