Lëvizjet në Kadastrën e Vlorës, Lame paralajmëron dorëheqje të tjera: Do dëgjoni problematika në të gjithë Shqipërinë

Kreu i Kadastrës Artan Lame ka komentuar lëvizjet në Kadastrat në rrethe. Duke folur nga Elbasani Lame bëri ‘me faj’ vlonjatët, duke i quajtur të paduruar. Lame sqaroi se si në Vlorë, probleme do ketë edhe në disa qytete të tjera.

“Probleme si në Kadastrën e Vlorës do të dëgjoni edhe në qytete të tjera. I vetmi ndryshim në Vlorë është se nuk gjen një njeri me emrin ‘Durim’. Në Vlorë njerëzit janë më të paduruar se të tjerët”, deklaroi Lame.

Lame sqaroi se “kanë rënë piramidat e vjetra të ndërhyrjeve dhe të pushtetit dhe nuk ka asnjë që të mbrojë paligjshmërinë”.

“Do të dëgjoni shumë shpejt problematika të tilla në të gjithë Shqipërinë”-tha Lame.

Dje në Vlorë u dorëhoq drejtoresha e Kadastrës Elona Hodaj,

e cila mori detyrën më 19 shtator si dhe zv/drejtori, Krenar Xhemali. Shkak i largimit të drejtuesve të Kadastrës së Vlorës është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë.