Flash News
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Dritan Hila: Lexoj letërsi vetëm kur më duhet të kolaudoj shijet e mia
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Kjo nuk ka rëndësi pasi bibloteka nuk mjafton kurrë.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Të dyja. Nisem nga zhanri, pastaj vjen autori.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo, pasi më ndodh që librat i blej si një grua në krizë shopingu, më vonë nuk më del koha pasi më duhet të lexoj të tjerë libra për nevoja të ditës.
-Libri i parë që keni lexuar…
'Egjërushi'. Ma dha nëna ime sapo mbarova abetaren.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Janë shumë.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist/e apo student/e?
Me asnjë. Kjo më erdhi pasi në ato kohë nëse ta merrnin ndonjë libër, ishte shumë e vështirë ta kthenin.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Po, por nuk shkoja shpesh pasi nuk më pëlqente që të shkoja në sportel dhe të kërkoja një libër pa e ditur se për çfarë bënte fjalë. Ashtu si edhe sot, pëlqeja që më parë t'i hidhnja një sy shkarazi përmbajtjes së librit dhe vetëm pasi më tërhiqte vendosja ta lexoja. Pasi mbarova biblioteken time, në Shkodër shfrytëzoja atë të një miku të familjes, Qamil Bala quhej, i cili kishte një fond të jashtëzakonshëm. Kur shkoja në Gjirokastër për pushime, kisha bibliotekën e burrit të tezes, edhe ajo shumë e pasur.
-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Nuk shkoj, qoftë për shkak të mungesës së kohës por edhe se dua që librat që lexoj t'i kem si dëshmi në raftet e mia dhe të shfrytëzoj pasazhe të tyre kur më duhen. Edhe kur blej nga Amazon, preferoj më përpara versionin letër sesa atë elektronik.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
Jo, jam shumë korrekt. E kundërta ka ndodhur. Mendoj se ata që bëjnë këtë veprim në të vërtetë nuk janë miq të librit, përkundrazi.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Kam pasur dhe ka ndodhur në formën e përvetësimit nga të tjerët nën preteksin e leximit
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?
Mund të kem lexuar, por nuk e kam ditur që kanë qenë të tillë. Im atë më kishte krijuar një perimetër lirie ku nuk e kam pasur idenë se ku fillonte 'e ndaluara' në komunizëm. Më ndihmoi edhe fakti se adoleshencën dhe më tej e kam jetuar në një qytet liberal si Shkodra.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Libri është si parfumi ku ti nuk e di se cila aromë i pëlqen gruas. Ndaj as ndërhyj te shijet e tjetrit dhe as i kërkoj të harxhojë për diçka që mund të mbetet në raft, i pa lexuar
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Nga halli mund të lexoj edhe ndenjur. Shtrirë është pozicioni i preferuar.
-A lexoni në banjë?
Po. Dikur kur kishim vetëm një të tillë, ishte problem futja ime në banjë.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Më shijon shumë në italisht, madje ka kohë që për shkak të rënies së cilësisë së përkthimit lexoj vetëm në atë gjuhë.
-Mbani shënime kur lexoni?
Nënvizoj me lapsa fluoreshent, thyej faqen, pastaj i grupoj në kompJuter
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
Proza. Kur më pëlqen një autor nëse mundem e lexoj korpusin e tij.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Letërsia e helenëve. Por duhet durim të cilin as unë nuk e kam pasur të madh. Pastaj Balzak, Flober, Merime, Dikens, Çehov, Tolstoi, Dostojevski, Markez, Andriç, Agolli, Kadare, etj etj.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Nuk besoj se ka të tillë.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?
Nuk jam në gjendje të bëj zgjedhje të tilla.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisnI shpesh…
Mos më bëj të hyj në Google, të gjej një aforizëm dhe ta them sikur është pjesë organike imja. Por, njeriu bëhet ajo krijesë unike që kishte në mendje Zoti kur e krijoi vetëm pasi është gdhendur nga gërma.
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
Nuk kam.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Me dhjetra. Mos më bëni t’i hyj në hak njerit apo tjetrit.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Nuk kam të tillë.
-Çfarë po lexoni?
“Kolaps, si shoqëritë vendosin të vdesin” i Jared Diamond; “Kjo nuk është Amerika” të Alan Friedman dhe “Kriza e Islamit” e Bernard LeWis. Dy të parët pasi pas zgjedhjes së Trump dhe largimit të tij nga traktati i Parisit për klimën. Dua të kuptoj se si, pavarësisht teknologjisë, njerëzit mbeten po aq irracionalë në aktin e vetëvrasjes, si në gjithë historinë e tyre, pavarësisht teknologjisë. Ndërsa të fundit, për të pasur një shpjegim të ftohtë në kohëra histerie. Lexoj letërsi vetëm kur më duhet të kolaudoj shijet e mia. Fatkeqësisht.