All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Libri i Muç Nanos? Nuk ka bar kundër budallallëkut

Libri i Muç Nanos? Nuk ka bar kundër budallallëkut
All - Paragraf - 1

Shkëlqim Çela*

All - Paragraf - 3

Shkrimin e Muços që e lexova në cell; por edhe ashtu më mjaftoi për të riafirmuar aforizmën gjermane "Gegen Dummheit ist kein Kraut gewachsen", pra nuk ka bar kundër budallallëkut. 

A ka berihaj të marrë, naiv, mburravec e folklorik ndaj gjërave që po fliten? Natyrisht që ka, do ishte një çudi të mos ishte kështu, por kjo nuk do të thotë se atituda fundore u dashkësh ngritur mbi këto prohira tonat fshatçe, për të cilat veçanerisht jemi shumë pjellorë dhe prodhues.

Unë e kuptoj joshjen dhe ngashnjimin e pozicionit prej misionari illuminues, virus nga i cili janë infektuar shumica e punditëve tanë. E kuptoj apelin, pothuaj fetar që ka rrekja prej Moisiu me flakadan në dorë, për t'u thënë gjindjes se plaku i vitit të ri apo tooth fairy, nuk janë të vërtetë. Mirëpo ka një problemth të vockël këtu: sikur po ka shumë moisinj, shumë muçër, tosër e klosër, me flakë diturish në duar, me një fjalë vlera e një Moisiu (sikur ky të ishte stok apo kartëmonedhë) ka rënë shumë, Dhjetë Urdhëresat na u bënë 100 e me pas 1000, një progresion gjeometrik i çuditshem. Por, kjo është vetëm një feksje e problemit tonë me pundiqerinë shqiptare, e cila është e damkosur si dylli i kuq i fermanit me logon "Buono per Albania".

Më shkoqur, problemi është se do ca këllqe për të qenë misionar. Populli shqiptar është ende në gjendje politikisht foshnjore, pra në tregun e punës ka një nevojë ulëritëse për misionarë (kjo shpjegon për shembull Ismail Kadarenë siç e njohim ne), por kjo nuk do të thotë që kushdo mund t'i veshi ato këpucë. Sepse, një misionar nuk është ai që i bie alivania para çdo të huaji që ka kaluar e kalon këtejpari. Po ashtu, populli shqiptar ka probleme me mungesën ulëritëse të organizimit në kolektiv funksonues, por në tjetër rrafsh (individualisht) shqiptarët nuk janë zulu që t'i habisësh me anekdota dhe rruaza qelqi.

Përpara se të ketë arkiva, citime, shkresa kancelerish, botime të vjetra, që i përzgjedh si të dojë qejfi, ka diçka që quhet "common sense", dhe kjo jo thjesht në kuptimin e zgjuarsisë së rrugës, por të një tabani logjik të çliruar prej çdo fallacie (rrejshmërie), përrenj këta që çojne te liqeni i gjepurave. Dhe këtë common sense punditët tanë që u këputën me lexime e nënvizime, fatkeqësisht nuk e kanë. As aftësinë analitike, as atë sintetike. Problemi i tyre (Muçua përfshirë) është pikësëpari metodologjik. Se, ndryshe nuk shpjegohet kjo rrekje kaq e lodhshme me Vojsavën serbe, për shembull. Sepse, me gjithë kuriozitetin faktual, menjëherë pas "lajmit" vjen pyetja "E po pastaj?" Kjo përkatësia etnike është një faktor i rëndësisë së dorës së tretë. A nuk ishte vetë Stalini gjeorgjian? Po Hitleri, a nuk ish një austriak prej Braunau? A pengoi gjë kjo që të trajtohen si shtylla të historive, përkatësisht ruse dhe gjermane? Sa vend zë origjina e tyre, përveçse si një përcaktor i rëndomtë, në trajtesat mbi ta?

Pra, pavarësisht nga histeria e njerëzve që thonë se anunaki fliste shqipen e Belshit të Elbasanit, ç'ne me lazëm gjithë ky tam-tam për gjëra që aq pak çojnë peshe, si fillim? Ç'është kjo zali e frenezi pas faktit që dy emisarë të kancelerisë X dhe Y paskëshin thënë te Hani i dy Robert Çamçakizërve se Gergj Kastrioti qenkësh inatçi i madh (duke shkundur jakën e xhaketave këtu, si ai mos të rëntë në mëhallë), e si pasojë të dalësh me proçkën logjike se i gjithë aksioni i tij qenkësh i denjë për këngën "pse më mban kokën mënjanë, sikur të kam vrarë babanë"? Dmth Gjonin? Ah, jo, jo, Jovanin, Juanin, Don Huanin e Matit, Dibrës, Martaneshit, Zhapokikës heroike...

Mund të jetë fare mirë dëshira për dritë të vockël skene, fama prej scoopi që i ngjan vrapit të gomarit, përplasja e derës prej fëmijës që kërkon medoemos vëmendje, nuk e di, por mund të ketë edhe një lloj kompleksi parvenyje e gjitha kjo, parvenu jo vetëm në kuptimin e çlirimit prej provincës, por edhe të shansit për të qenë dikushi me çdo mjet. Nuk e di këtë. Di vetëm të them se çoroditja e krijuar nga inpute të tilla që s'të çojnë kurrkund, i zë vendin fjalës me bazë, fjalës së urtë, jo vetëm faktuale, por më së pari dhe mbi të gjitha, fjalës logjike.

Dhe shqiptarë që e kanë fakultetin e kësaj fjale, ka. Një prej tyre është Aurel Plasari, për shembull, por ky nuk ka talk show të vetin "mër jahu", ky nuk din me gërthitë, mar, as me ba pirrueta n'televizjon...

*Çela është autor i disa librave në poezi dhe prozë, të botuar në Shqipëri dhe ShBA. Ai ka fituar Çmimin Kadare në vitin 2016. Jeton në Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të fundit