Liga e Evropës/ Laçi luftarak barazon me Hapoel Beer-Sheva-n

Laçi barazoi me rezultatin 1-1 ndaj ekipit të Hapoel Beer-Sheva-s në takimin e raundit të parë kualifikues në Ligën e Evropës.

Kurbinasit kaluan në avantazh në Laç që pas 5 minutash falë Nuabuezes. Vendasit bënë një lojë të mirë, madje goditën edhe shtyllën në pjesën e parë.

Ndërkohë që në të dytën, lojtarët izraelitë e rritën ritmin dhe 12 minuta nga fundi gjetën golin e barazimit me anë të Levit. Tani çështja e kualifikimit për në fazën pasardhëse do të zgjidhet në takimin e kthimit në Izrael.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e ekipit. Them se ishim më mirë se sa rivalët tanë. Them se me kundërsulme do t’ia dilnim.

Kjo është një skuadër me talente dhe e nxjerr golin edhe nga individi. Bëmë një lojë të mirë, u kënaq edhe tifozi, por më vjen keq që nuk fituam. Barazimi është jo i merituar për Hapoelin, por ky është futbolli. Duhet që ta pranojmë”, tha trajneri i Laçit, Sulejman Starova.