Flash News

KRYESORE

Liga e Kampioneve,  Mesi hakmerret ndaj Juventusit, shpërthejnë Bajern, Çelsi e M. Junited

Lionel Mesi ka larë hesapet me Juventusin, duke u hakmarrë ndaj bardhezinjve që e kishin eliminuar në sezonin e kaluar nga Liga e Kampioneve. Argjentinasi tregoi gjithë klasin e tij ndaj finalistëve të turneut, duke ndihmuar Barcelonën të fitonte 3-0 dhe të kthehej menjëherë në ekipin favorit për të dominuar grupin.

Sa i përket sfidës tjetër në grup, ndeshja e parë e Olimpiakosit të Besnik Hasit nuk ka shkuar ashtu siç shpresonte trajneri shqiptar. Ekipi grek është mundur në shtëpi me shifrat 3-2 nga Sporting Lisbona, pas një pjese të parë për t’u harruar nga skuadra e tij ku pësoi 3 gola dhe ishte shumë e brishtë në mbrojtje.  

Ndeshja e parë e Karabakut në Ligën e Kampioneve është kthyer në makth, pasi Çelsi i Antonio Kontes është treguar i pamëshirshëm duke mundur me shifrat 6-0 skuadrën e Ansi Agollit. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare ishte spektator në këtë sfidë, si pasojë e dëmtimit të pësuar me Kombëtaren.

Nëse në Londër kishte festival goli, në ndeshjen mes Romës dhe Atletiko Madrid askush nuk gjeti rrugën e rrjetës, ndonëse të dy skuadrave nuk u munguan rastet, sidomos spanjollëve. Por paraqitja e portierit Alison mbajti në lojë Romën dhe pritjet e tij i dhanë të paktën një pikë në këtë duel.

Kilian Mbape ka vazhduar të shkruajë rekorde të reja në historinë e futbollit europian, ndonëse sapo i është bashkuar PSG-së.   Futbollisti francez shënoi sot në suksesin e thellë 5-0 të parisienëve në fushën e Sëlltikut, duke barazuar rekordin e Patrik Klaivert, sa i përket numrit të golave të shënuar në këtë turne, pasi arriti shifrën 7. Njëkohësisht, ai u bë adoleshenti i parë që shënonte në këtë turne me dy skuadra të ndryshme.

Ndërkohë, në duelin tjetër të këtij grupi, Bajern Mynih mundi Anderlehtin 3-0 në një ndeshje që u bë shumë e thjeshtë që në fillim, pasi belgët u ndëshkuan me të kuq në minutën e 11 dhe më pas Levandovski realizoi 11-metërsh duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Megjithatë, qetësia erdhi vetëm në pjesën e dytë pas golit të Tiago Alkanatara dhe atij të Kimih.

Mançester Junajtid e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, me një sukses të rëndësishëm 3-0 në fushën e vet përballë Bazelit të Taulant Xhakës i cili sot ishte titullarë në radhët e skuadrës së tij por nuk arriti të bënte mrekullinë përballë “djajve të kuq”.

Sa i përket ndeshjes tjetër në grup, CSKA e Moskës ka arritur një përmbysje të papritur ndaj Benfikës duke fituar 2-1 në fushën e kësaj të fundit.

GRUPI A

Benfika-CSKA Moskë 1-2

Mançester Junajtid – Bazel    3-0

GRUPI B

Bajern Mynih-Anderleht         3-0

Selltik – PSG                            0-5

GRUPI C

Çelsi-Karabak              6-0

Roma – Atletiko          0-0

GRUPI D

Barcelona-Juventus     3-0

Olimpiakos- Sportin L 2-3

 

 

Të fundit