Flash News

KRYESORE

Ligji për shembjen e Teatrit, BE mbështet artistët: Presim sqarime të detajuara nga qeveria

Pas letrës informuese që artistët u dërguan zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian rreth ligjit për shembjen e Teatrit ka ardhur edhe reagimi i Komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn .

Përmes Drejtoreshës së zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera,  Brukseli shprehet se ka mbajtur shënim me interesim të madh argumentet e artistëve në lidhje me vlefshmërinë e ligjit të sipërpërmendur.

Në letër shkruhet se BE i ka kërkuar tashmë informacion të thelluar qeverisë në lidhje me ligjin e shumëdebatuar dhe shumë shpejt do të japë një përgjigje, nëse ky i fundit është konform rregullave dhe i përputhshëm me  kërkesat që shtron Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit (MSA) si dhe me ligjet e tjera të BE.

Calavera shton më tutje se Komisioni Evropian do të shqyrtojë me imtësi informacionin shtesë që ka kërkuar dhe do të japë një përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Letra e plotë e BE-së:

Të dashur anëtarë,

Faleminderit për letrat tuaja të 12 e 15 korrikut në adresë të Komisionerit Hahn për Ligjin Special në lidhje me projektin e zhvillimit që përfshin ndërtimin e një ndërtese të re për Teatrin Kombëtar në Shqipëri.

Komisioneri më kërkoi t’ju përgjigjem në emër të tij.

Për fat të keq, për shkak të programit të tij tepër të ngjeshur, Komisioneri nuk kishte mundësi të takonte përfaqësuesit tuaj gjatë vizitës së tij në Tiranë gjatë këtij muaji.

Megjithatë, kemi mbajtur shënim me interesim të madh argumentet tuaj në lidhje me vlefshmërinë e ligjit të sipërpërmendur.

Komisioni u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të ofrojnë informacion shtesë për Ligjin Special, me qëllimin për të parë përputhshmërinë e tij me kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit midis BE dhe Shqipërisë, si dhe përputhshmërinë me rregullat e BE në fushën e ligjit të konkurrencës dhe prokurimet publike.

Pas paraqitjes së informacionit shtesë, tani Komisioni mund të procedojë me shqyrtimin e nevojshëm dhe të angazhohet në mënyrën e duhur me autoritetet.

Juaja sinqerisht,

Genovieva Ruiz Calavera

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Tiranë

CC: Dërguar edhe zonjës Romana Vlahutin, Kryetare e Delegacionit të BE në Shqipëri (e-maili i eshte derguar dhe Ambasadores Vlahutin).

Të fundit