Lirimi i Endrit Dokles, Gjonaj kallëzon penalisht drejtorin në Krujë, pezullim urgjent të gjyqtares Hoxha

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka cilësuar një vendim skandaloz nga ana e gjyqtares së Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila pak ditë më parë liroi me kusht Endrit Doklen, një i dënuar me burg përjetë si ish anëtar i bandës së Durrësit.

Në një dalje për mediat, Gjonaj tha se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore të Kodit Penal të parashikuara për lirimin me kusht, ashtu si dhe të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë në të cilën argumentohet zbatimi i ligjit.

Për këtë, ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra.

“Ndaj me ju sot, shqetësimin e thellë timin dhe të qeverisë mbi vendimin skandaloz të gjyqtares së rrethit gjyqësor Krujë, Enkeleida Hoxha, për lirimin me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo norme funksionale të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

Lirimi në shkelje të ligjit, i të dënuarve me burgim të përjetshëm, fenomen gjithnjë e më i shpeshtë kohët e fundit është një kambanë alarmi, për gjendjen e rëndë ku ndodhet drejtësia në këtë fazë tranzitore të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve.

Ndjehem e keqardhur për këtë vendim, edhe pse shqetësimin për këtë çështje, e kam shprehur dhe adresuar institucionalisht që në fazën e gjykimit të saj, bazuar në informacionin që disponononim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i provës, duke patur indicie apo dyshim mbi objektivitetin dhe paanësinë e këtij gjykimi, duke kërkuar veç të tjerash verifikim të menjëhershëm nga Institucionet përgjegjëse.

Sjell në kujtesën e publikut se shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleida Hoxha, është adresuar që më datën 8 janar 2018, pas publikimit të lajmit të lirimit të një tjetër të dënuari me burgim të përjetshëm, Genc Tafili.

E njejta gjyqtare, e njëjta sjellje skandaloze me ligjin, i njëjti rezultat dëshpërues për drejtësinë e për shoqërinë, që pret vetëm drejtësi nga gjykatat e këtij vendi. Zyrtarisht i jam drejtuar atëherë Inspektoratit të Këshillit (në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë), duke kërkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha, por, duke ndeshur të njëjtën heshtje dhe papërgjegjshmëri që për shumë e shumë vite ka kalbëzuar sistemin e drejtësisë ne Shqipëri.

Lidhur me vendimin e finalizuar pak ditë më parë nga gjyqtarja Hoxha, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është kryer me hollësi e shpejtësi një verifikim administrativ i dokumentacionit të administruar, vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike, për të zbardhur të gjitha shkeljet dhe anomalitë në këtë vendim. Nisur nga analiza e detajuar që Ministria e Drejtësisë ka kryer, gjithashtu referuar edhe rasteve të tjera, të cilat, kanë pasur ngjashmëri në trajtim dhe të cilat i janë referuar inspektoratit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me parashikimet ligjore të Kodit Penal lidhur me kriteret ligjore të parashikuara për lirimin me kusht, ashtu si dhe të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë në të cilën argumentohet zbatimi i ligjit në kohë dhe në hapësirë.

Edhe pse Ministria e Drejtësisë, nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta ligjore mbi sistemin e drejtësisë, si një aktor në kuadrin e monitorimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, ndjej detyrimin kushtetues dhe qytetar, të sjell në vëmendjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe aktorëve të tjerë nevojën për të ndërmarrë veprime institucionale në përgjigje të abuzimeve te gjyqtarëve dhe prokurorëve, që me vendimmarrjet e tyre haptazi në shkelje të ligjit po cenojnë hapur rendin kushtetues e juridik, interesin e qytetarëve, dhe besimin e tyre te drejtësia.

Si rezultat i shkeljeve të konstatuara dhe duke mbajtur parasysh se veprime të tilla, me pasoja të rënda në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend, kanë krijuar zemërim të opinionit të gjerë publik, kanë cenuar rëndë paanshmërinë dhe objektivitetin në dhënien e drejtësisë, në datën 15 janar:

I jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar, me qëllim mostolerimin e asnjë vendimi të tillë, i cili sfidon haptazi procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe punën e përkushtuar të institucioneve të reja në këtë proces jetik për forcimin e shtetit të së drejtës”, tha Gjonaj, e cila tha se nga hetimi ka rezultuar se edhe Drejtoria e shërbimit të provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast.

“Si rezultat i kësaj, janë marrë të gjitha masat administrative nga Ministria e Drejtësisë, duke pezulluar menjëherë nga detyra Drejtorin e shërbimit të provës Krujë dhe po dje, është depozituar kallëzim penal ndaj tij, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Krujë për shpërdorim detyre”, tha ministrja.