Flash News
Konstituohet grupi i dialogut për ‘Reformat’ mes opozitës dhe mazhorancës
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Lirohet protestuesi që goditi efektivin në Fier, reagon Policia e Shtetit: Jemi të tronditur, padi penale ndaj gjyqtarit
Policia e Shtetit ka reaguar me një deklaratë të ashpër kundër vendimit të Gjykatës së Fierit për të liruar protestuesin që goditi me gur në kokë efektivin në Fier, gjatë protestës të së shtunës.
Vendimin e gjyqtarit Pirro Sota për të liruar protestuesin, Policia e Shtetit e konsideron arrogant, shpërfillës ndaj ligjit dhe injorues ndaj provave.
“Vendimi i sotëm i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër, që goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës, ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit. Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbrojtjen e veçantë të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, thuhet në deklaratë.
Deklarata vijon duke theksuar se rreziku për punonjësit e policisë shtohet jo vetëm nga kriminelët, por edhe nga gjyqtarë të lidhur me krimin. Policia e Shtetit paralajmëron se do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota për vendimin e marrë sot, si dhe dokumentacionin do e dorëzojë edhe në organet e vetting-ut.
“Rreziku për jetën e punonjësve të PSH, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin. Policia e Shtetit e ka dëshmuar me gjakun e qindra dëshmorëve, përgjegjësinë e saj publike dhe nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre. PSH do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore si për të mbrojtur jetën e punonjësve të saj, ashtu dhe për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit, edhe kur këta mbajnë të veshur padrejtësisht mantelin e gjyqtarit. Policia e Shtetit do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij”, thuhet në reagim.