Flash News

KRYESORE

Lista e deputetëve dhe...radha e vajgurit*

Lista e deputetëve dhe...radha e vajgurit*

Frano Kulli

I fundmi prej kryetarëve, në telashin e madh të përmbylljes së listave për deputetë, ishte z. Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike. Kryetari i partisë, që rreth tri dekada më parë  u krijua si e para parti demokratike pas letargjisë së gjatë të diktaturës. Ajo pati ardhë bashkë me një tubë shpresash që për nga densiteti  i tyre, njerëzit që i mbartnin, dukej sikur do të kalonin ylberin. Fitorja e madhe ishte se, më së fundi nuk do të kishim "bllokun e udhëheqjes" , ku ishte i lidhur fati i gjithësecilit prej nesh, shqiptarëve brenda klonit (gardhit vdekjeprurës në kufijtë shtetërorë) nuk do të kishim njëshin që vrán e kthjell, do të ishim , më së fundi të lirë, që njëshin e të gjithë njëshat do t'i zgjidhnim vetë. Simbas principeve të demokracisë, ashtu si në të gjitha vendet demokratike të Europës, drejt së cilës u nisëm fluturim asohere, për të arritur një minutë e më parë atje...Kjo kishte qenë ëndërra. E mrekullueshme për t'u ëndërruar. Por s'paskësh qenë e thënë të ishte dhe e vërteta...

Kishte pâsë kénë rrenë, siç thuhet në Shkodër.

Sipas ditarit të  thasheshemtë, por të besueshëm të ditëve të fundit të z. Basha, ai e hapte dhe mbyllte njëzetekatërorëshin në zyrë. Sigurisht duke hartuar e prishur lista. Natyrisht me të drejtën e tij se është përgjegjësí në kufijtë e bastit me të ardhmen e tij në rrugën që ka zgjedhë, në politikë. Në politikën shqiptare...Nga cilësia e listës që tashma ai ka inauguruar, varet e ardhmja e tij, por jo vetëm e tija. Varet e ardhmja e Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare sot, rreth së cilës, prap vërtitet thuajse gjysma e votuesve shqiptarë. Po varet edhe e ardhmja  jonë, që akoma  e kemi vendin e jetesës sonë, Shqipërinë.

Nëse arsyetojmë thjeshtë se tek  ato lista ka zanafillen gjithë qeverimi ynë. Aty zë fill administrimi i jetës sonë publike; puna dhe buka, spitalet dhe shkollat, polici, tatimori dhe ligji, e drejta dhe e padrejta në gjykata, ekonomia e prosperiteti dhe jo kanabisi, partneriteti dhe miqësitë më vendet e tjera...

Së paku edhe për katër vitet në vijim.

Listat e kryetarëve për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë (!), që qysh prej mbas vitit '92 e këndej kanë dalë gjithmonë në mesnatë dhe të shënuarit për të mbetur në ato lista kanë mbajtë frymën në mëngjesin e së nesërmes ,pak ndryshim për mirë kanë sjellë, në demokracinë tonë të ëndërruar.

Ata që do të shkojnë për të  votuar, listat e kryetarëve do të kenë përpara, sërish. Ashtu si gjithë këto vite më parë. Prej tyre do të zgjedhin. Ndryshe edhe nga sa ndodh në Bosnje bie fjala, ku gjithnjë votohet me lista të hapura.

Lista e mbyllur (në mesnatë) e kryetarëve është e vetmja mundësi dhe nuk ka një tjetër të dytë, alternative. Koinçidenca e përputhjes së plotë të ndonjë emri prej listës së kryetarit me një listë imagjinare të qytetarëve, si bie fjala Romeo Gurakuqi, një figurë me vlera të gjithpranuara publike nuk justifikon mekanizmin foshnjor demokratik, mbi të cilin mbështetet demokracia e partive tona dhe krejt standardi i demokracisë sonë në tranzicionin e pambarim.

Edhe me 25 qershor , ata që do të jenë në radhë për të zgjedhur, "mallin" që kanë sjellë kryetarët do të "blejnë". Vajgurin, si të vetmen lëndë energjitike për të shtyrë përpara demokracinë, elementin e saj vital-zgjedhjen e lirë të administratorëve të Republikës  së tyre.

*Shënim për ata që se dijnë. Vajguri ishte e vetmja lënda djegëse që përdornin shqiptarët deri në fundvitet '90 për gatim dhe për tu larë

Të fundit