Lleshaj: S’kam thënë se dështuam. Po të mos ndodhnin atentate, s’do kishim as polici

Atentati me eksploziv i pasdites së djeshme ndaj Preng Gjini tronditi kryeqytetin. Pas ngjarjes së rëndë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se policia dështoi të parandalonte këtë atentat, i cili dyshohet se ka ndodhur për shkak hakmarrje, por sot nga Elbasani Lleshaj ka mohuar deklaratën e djeshme.

Ai tha se Policia jo vetëm që s’ka dështuar, por po kryen detyrën me sukses në gjithë vendin. Lleshaj tha se suksesi i policisë nuk do të thotë se s’mund të ndodhin ngjarje të tilla, pasi sipas tij nuk do të kishim as polici.

“Jo s’kam thënë që ka dështuar policia. Mundohuni të kuptoni drejt. Policia jo vetëm që s’ka dështuar por po kryen detyrën me profesionalizëm dhe sukses në gjithë vendin. Sigurisht kjo nuk do të thotë që ngjarje nuk mund të ndodhin se ndryshe nuk do kishim as polici”, tha Lleshaj.

Hetuesit dyshojnë se sulmi me eksploziv ndaj Preng Gjinit ka të bëjë me hakmarrje mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, ku jo më larg se disa muaj më parë, Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në gusht të një viti më parë. Ndonëse i kishte shpëtuar disa atentateve, ai u qëllua me breshëri automatiku në sy të fëmijëve të tij. Lidhur me këto vrasje s’ka ende asnjë autor të arrestuar.