Flash News

KRYESORE

Lobimi në SHBA, Besnik Mustafaj mbron Lulzim Bashën: PD e ka provuar veten si pro europiane

Lobimi në SHBA, Besnik Mustafaj mbron Lulzim Bashën: PD e ka provuar

Ish-ministri i Jashtëm, Mustafa Nano ka komentuar akuzat e socialistëve ndaj PD dhe kreut të saj, Lulzim Basha, si e përfshirë në një skemë financimi lotuese jotransparente në SHBA që përfshijnë edhe biznesmenë rusë.

Duke folur për gazetën "Panorama", Besnik Mustafaj, i konsideron si shpifje akuzat e qeverisë për lidhje të fshehta të lidershipit të PD-së me Rusinë.

Ai thotë se Partia Demokratike e ka provuar veten si një forcë pro evropiane, duke e integruar vendin në NATO dhe liberalizimin e vizave.

”Partia Demokratike ka qenë, është dhe nuk ka asnjë shans që të jetë ndryshe, përveçse një parti pro perëndimore, pro evropiane dhe pro amerikane. Partia Demokratike është një parti që e ka treguar me prova historike vendosmërinë e saj për ta çuar Shqipërinë në këtë drejtim. Le të kujtojmë se integrimin në Këshillin e Europës e ka bërë PD, gjithashtu integrimin në NATO, liberalizimin e vizave. Në gjykimin tim, të gjitha këto sulme që i bëhen për prirje apo lidhje të fshehta me Rusinë, janë absolutisht obstruksione dhe shpifje pa asnjë bazë në realitetin politik.  Këto shpifje nuk kanë asnjë lidhje as me frymën e bazës së Partisë Demokratike, as në aspiratat e saj dhe as në lidershipin e saj”, deklaron Mustafaj.

HETIMI

Sipas themeluesit të PD-së dhe ish-ministrit të Jashtëm, e vetmja rrugë përmes së cilës lidershipi i Partisë Demokratike do të mund të çlirohet nga këto akuza, do të jetë zbardhja e kësaj çështjeje në Prokurorinë e Përgjithshme. Mustafaj i kërkon Bashës dhe lidershipit demokrat t’u shkohet deri në fund hetimeve për t’ia hequr këtë njollë që po kërkon t’i vendosë PD-së Kryeministri Rama.

 “Partia Demokratike dhe lidershipi i saj gjenden përballë këtij sulmi dhe duhet ta përballojnë. Unë nuk jam aspak i mërzitur përse këtë çështje e ka marrë në dorë Prokuroria. Drejtuesit e Partisë Demokratike duhet të zbatojnë detyrimet e tyre me seriozitetin që kërkohet, duke shkuar në organin e akuzës për të bërë transparencën e duhur për ato fakte “Fake” apo të vërteta, që serviren në shtypin amerikan dhe që riartikulohen pastaj me zell nga Kryeministri Rama dhe e gjithë shpura e tij.

Nuk ka asnjë rrugë tjetër që Partia Demokratike dhe lidershipi i saj t’ia heqin vetes këtë njollë, përveçse duke e zbardhur për opinionin publik, por edhe ligjërisht për institucionet e drejtësisë”, thekson Mustafaj.

Si themelues i PD-së, Mustafaj i kërkon kreut të PD-së t’i shkojë deri në fund zbardhjes së akuzave të prodhuara në shtypin e SHBA-së dhe të riartikuluara nga Kryeministri Rama në Shqipëri. Ish-ministri i Jashtëm e mbështet lobimin që PD-ja ka bërë në fushatë, duke kujtuar se kjo është një praktikë e ndjekur në shumë vende të tjera të botës.

Të fundit