Flash News

KRYESORE

LSI nuk del nga qeveria, Vasili: U shmang katastrofa, do jemi ne forca e parë

LSI nuk del nga qeveria, Vasili: U shmang katastrofa, do jemi ne forca e

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të largohet nga qeveria pas marrëveshjes së arritur mes dy partive të mëdha, PS-PD. Kryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili tha se me këtë marrëveshje u shmang katastrofa që do të shkaktohej nëse shkohej në zgjedhje pa PD-në, ndërsa theksoi se do të jetë LSI-ja ajo që do të dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e 25 qershorit.

“LSI bëri gjithçka që kjo krizë të zgjidhej dhe të shmangej katastrofa që do shkaktohej nëse vendi do hyntë në zgjedhje pa opozitën. Pavarësisht zgjatjes artificiale është e rëndësishme që do të kemi zgjedhje gjithëpërfshirëse. Do të kemi zgjedhje më 25 qershor dhe tashmë vendimi është tërësisht në dorë të qytetarëve. Ata do të vlerësojnë kontributin e çdo force politike. Me hyrjen e PD-së do të kemi garë gjithëpërfshirëse dhe LSI ka punuar fortë për këtë. Sot do të kemi një garë të barabartë mes tre forcave politike. LSI beson se do të jetë forcë e parë politike pasi është konstruktive dhe gjithëpërfshirëse. Janë këto cilësi themelore që motiviojnë sot mijëra e mijëra të rinj. Na vjen keq që u është mohuar pjesëmarrja në koalicion disa partive. LSI qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë dhe megjithatë i mbështesim hapësirat për përfaqësimin e këtyre partive”, u shpreh Vasili gjatë konferencës për shtyp.

Pavarësisht insistimit të gazetarëve për të marrë një koment më të qartë të pozicionit të LSI-së lidhur me marrëveshjen PS-PD, Vasili ka refuzuar të përgjigjet duke u shmangur nga thelbi.

“Ne sot kemi një marrëveshje politike që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë. Sot jemi në një situatë shumë më të qartë politike. Kemi datë zgjedhjesh dhe i kemi të gjitha partitë në fushë”, deklaroi kreu i LSI.

Të fundit