Lubonja i përgjigjet me “ujk” deklaratës së Lu-së me “peshq”

Analisti Fatos Lubonja, i kontaktuar nga Neës 24, ironizoi sot deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu.

Lu u shpreh se në vitin 2018, SHBA-të presin nga Shqipëria, arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.

 Lubonja i cilësoi si qesharake këto deklarata.

“Lu ka ujkun aty dhe thotë ja ku janë gjurmët”, – u shpreh Lubonja.

“Ç’do ndodhë nga 2017 në 2018, çfarë nënkupton ai me peshq të mëdhenj, sepse peshq të mëdhenj janë ata në pushtet, jo ata të opozitës. Nëse ka ndërmend ata të opozitës, është në një linjë krejtësisht të gabuar” – vijoi Lubonja.

“Shumica e shqiptarëve e dinë se çfarë ka ndodhur me mbjelljen e kanabisit. E kanë ditur dhe më parë se në këtë operacion ka qenë e përfshirë edhe policia. Qeverisë i ka rënë perdja komplet dhe duket lakuriq, por ne nuk kemi institucione, opinion publik të shëndoshë, për të zgjidhur institucionalisht dhe jo me shkatërrime këtë situatë. Pra do duhej të vepronin organet e drëjtësisë, të cilat janë nën trysni dhe tani del dhe Lu-ja dhe thotë prisni 2018, kjo është e tepërt” – akuzoi analisti i njohur.

Lubonja ka edhe një këshillë për opozitën: “Opozita duhet t’i japë mbështetje drejtësisë dhe prokurorisë që të veprojë. Pa u bërë ata prokurorët, pra duke i mbështetur dhe jo duke u bërë PD-ja Prokurori”.