Flash News

KRYESORE

Lufta tregtare, Donald Trump: E kemi të lehtë për ta fituar. BE: Nuk ka fitimtar, dalim të gjithë të humbur

Lufta tregtare, Donald Trump: E kemi të lehtë për ta fituar. BE:

Presidenti amerikan i është përgjigjur reagimeve shqetësuese të partnerëve tregtarë të SHBA-së në lidhje me planifikimin e vendosjes së taksave mbi importet e çelikut dhe aluminit duke siguruar se luftrat tregtare janë të lehta për t’u fituar.

‘’Kur një shtet (SHBA) humbet miliarda dollarë duke shkëmbyer mallra me pothuajse të gjitha shtetet me të cilët bën biznes, atëhere luftrat tregtare janë të mira dhe të lehta për t’u fituar”, u shpreh ai në një postim në Twitter.

”Për shembull kur ka një deficit prej 100 miliardë dollarësh me një shtet dhe ai bën të keqin, ndalesh së bëri tregti dhe fiton shumë. Është e thjeshtë”, tha Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi qëllimin e tij për të parashtruar javën e ardhshme tarifa doganore prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin për importet në SHBA për të mbrojtur industrinë kombëtare të çelikut. Megjithatë ai nuk specifikoi se cilat shtete do të ishin objekt i një mase të tillë.

”SHBA importon 30 milionë ton çelik në vit, për një vlerë prej 24 miliardë dollarë dhe nisur nga ky fakt ai renditet importuesi më i madh në botë”, sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë.

Rreth 4% të kësaj sasie çeliku imporohet nga Gjermania dhe 50% vjen nga katër shtete si Kanadaja, Brazili, Koreja e Jugut dhe Meksika.

Njoftimi i Trumpit shkaktoi indinjatën e partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së.

Luftërat tregtare nuk janë të mira për asnjë, vlerësoi komisioneri europian i Çështjeve Ekonomike, Pierre Moscovici, pas shprehjes nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ato nuk janë të mira për asnjë. Askush nuk del fitimtar, këto janë vërtetë luftëra të panevojshme, të pajustifikueshme dhe që janë humbës-humbës”, deklaroi ai gjatë një vizite në Sallonin e Bujqësisë në Paris, duke theksuar se Bashkimi Europian është duke përgatitur përgjigjen e tij.

“Na vjen shumë keq për këto masa sepse ato ngjasojnë shumë me masa që synojnë të mbrojnë industrinë kombëtare amerikane dhe se nuk mbështeten në asnjë formë justifikimi të sigurisë kombëtare”, u shpreh Moscovici duke theksuar se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë nga afër për çështjet e sigurisë prej dekadash.

Ndërkohë që zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen tha se “një dritare e vogël mundësie mbetet e hapur”.

“Presidenti i SHBA-së ende nuk i ka firmosur këto propozime. Pra ne shpresojmë se ai do t’i rimendojë këto qëllime”, shtoi ai.

Më i ashpër në reagim ishte presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili paralajmëroi se Brukseli nuk do të rrijë dhe të shohë se si sulmohet industria evropiane, por do të përgjigjet me masa të njëjta.

Të fundit