‘Luftë’ gjatë natës pranë Bashkisë së Kamzës, plumba dhe shpërthim tritoli në një biznes

Panik dhe frikë gjatë natës në Kamzë.

Një lokal dhe një biznes janë qëlluar me breshëri plumbash gjatë natës dhe vetëm pak minuta më vonë ka ndodhur një shpërthim eksplozivi.

Ngjarja është shënuar në lokalin ‘Kaslin’ dhe drejt banesës që ndodhet në të njëjtën biznes.

Fatmirësisht, nga plumbat dhe shpërthimi i shënuar rreth orës 02.00 pas mesnate ka patur vetëm dëme materiale dhe disa automjete të dëmtuara, të cilat ishin parkuar pranë lokalit.

Sipas të njëjtave burime, në banesë ndodhej e gjithë familja Halili, përfshirë edhe fëmijë. Policia ka sekuestruar pamjet e sigurisë, përmes së cilave do të identifikojë edhe autorët.

“Më datë 14.08.2018, rreth orës 02:07, në rrugën “Bulevardi Blu”, në Kamëz, në oborrin e banesës së shtetasit Sh. H., është hedhur një sasi lënde plasëse e cila ka shpërthyer duke shkaktuar vetëm dëme materiale në dy mjetet e parkuara në oborrin e banesës. Gjithashtu autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, sqaron policia paraprakisht.

E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth 500 metra poshtë Bashkisë Kamëz.