Flash News

OP-ED

Luhet edhe të hënën, pastaj fillon tuneli drejt fundit

Luhet edhe të hënën, pastaj fillon tuneli drejt fundit

Alfred Lela

Vera po i afrohet ngadalë pikut të vet. Korriku dhe gushti nuk janë muajt më të mirë për aktivitet politik. Njerëzit, edhe më militantët, i kap limontia e verës e cila kërkon, në të gjitha rastet, ujë dhe ajër. Elementë që nuk gjenden pranë asfaltit të qyteteve dhe as në selitë e partive politike; aq më pak në zhurmhurinë e protetstave.

Mund të flasim, sigurisht, për ajrin e lirisë, por në këto temperatura terma të tillë janë dëngla në demokratikisht.

E hëna e fundit e qershorit, është edhe loja e fundit për daljen nga tuneli i gjatë ku ka hyrë boksi politik në Shqipëri. Pas së hënës tuneli fillon sërish dhe askush nuk e di se si do të jetë 30 qershori për trenin e ngjarjeve: mur përplasjeje, abys i errët i fundit, apo një hapësirë e re ku mund të hapë çadrat e fushimit një shpresë e re.

Të hënën Kolegji Zgjedhor do të vendosë mbi një 'ankesë' të Idajet Beqirit, kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar, për tërheqjen e nga zgjedhjet e 30 qershorit ' pas dekretit të presidentit Meta për anulimin e vendoreve. Beqiri bën pjesë në koalicionin e Edi Ramës dhe nëse Kolegji Zgjedhor vendos ta njohë kërkesën e tij, automatikisht fut 'frymë ligjore' edhe në aktin e zhdekretimit të Metës.

Në 'sallonet' mediatike ekziston hamendësimi se të tria palët Rama, Basha dhe Meta kanë rënë dakord që 'fija' që ka zgjatur Idajet Beqiri me partinë e tij minore, të shërbejë si fati i të mbyturve në furtunën e shkaktuar nga ngjarjet politike, që nga djegia e mandateve deri tek akti presidencial.

Nëse hamendësimet kanë një vlerë, në këtë rast e mbajnë emrin shpresë.

Vendimi i Kolegjit do t'i hapte rrugë një rikonfigurimi zgjedhor, por edhe një tryeze politike, me të gjitha tezat dhe hipotezat e veta.

Rasti do të thërriste në skenë Kuvendin, duke i dhënë edhe 'opozitës së re' mundësinë për të ofruar votën e vet, e cila është e nevojshme për të arritur shumicën certifikuese që do lejonte ndërhyrjet në legjislacion, në këmbim të një lëshimi në favor të tyre. I cili duhet të jetë, gjykuar nga artikulimi i deritashëm, një refomë zgjedhore që do lejonte garën emërore në vend të listave.

Kolegji mund të fuste në shina një shkapëderdhje politike totale, por edh të shpëtonte ndërkombëtarët të cilët duan që kaosi të parandalohet, të mos krijohet precedenti i djegies së mandateve nga opozita, dhe sateliti kryesor amerikan në Ballkan të mos dukej si dështimi më i madh.

Për këtë do të nevojitej që Amerikani misterioz të mos ketë bërë vetëm një vizitë në zyrat e Tiranës.

Nëse zotëria në fjalë i ka hequr opozitës instrumentin e dhunës sporadike duke e zbrazur 30 qershorin nga rezistenca, a mundet ai t'u ofrojë edhe një 'patericë' të njëjtëve njerëz që u theu nga një këmbë?

Në mos, cilat janë lëvzijet realiste të opozitës?

Duket se rezistenca dhe pritja. Pa afirmimin amerikan dhe europian, pa kërcënimin e forcës, jashtë të gjitha pushteteve, opozitës i duhet të bëhet edhe një herë 'e zonja e vetes'.

Nëse Rama vazhdon me planin e 30 qershorit, ai do të gdhihet më 1 korrik njeriu me pushtet absolut në Shqipëri. Ndoshta edhe më shumë se Enver Hoxha. Çfarë do të bëjë ai me këtë pushtet, do të jetë shenja që do të përcaktojë, jo vetëm fatin e tij, por edhe të opozitës.

Historia e tranzicionit ka dëshmuar se tejngopja e pushtetit në Shqipëri është plot pasoja, si për atë që e ushtron, edhe për ata ndaj të cilëve ushtrohet.

 

Të fundit