Luiza Gega është fituesja e maratonës së Tiranës. Pse ndodhi ngatërresa në podiumin e garës

Politiko.al ka botuar një lajm sipas të cilit atletes keniane i është ‘vjedhur’ fitorja nga organizatorët e garës duke ia dhënë padrejtësisht atletes shqiptare, Luiza Gega. Në vijim Politiko ka kontaktuar me burime të stafit organizator, por edhe të stafit të atletes Gega duke grumbulluar të dhëna të reja.

Kështu, koha e konsumuar nga secili atlet në garë, edhe në atë të Tiranës, matet me një çip me të cilin janë pajisur garuesit. Në maratonat, që janë gara me distancë të gjatë ka një kohë bruto dhe një kohë neto. Koha bruto është koha nga rënia e pistoletës deri në fund të garës, ndërsa koha neto është ajo që i është dashur atletit për të përfunduar distancën, pavarësisht nisjes (dmth, edhe pse dikush mund të niste disa minuta pas shkrepjes së pistoletës).

Burimet i thanë Politiko.al se, për një gabim teknik, maratona ka filluar pesë minuta para, pra jo në ora 9, por në 8.55 dhe, gjithashtu atletja Gega është nisur 58 sekonda me vonesë, pra pas shkrepjes së pistoletës. Kjo ka çuar në pështjellimin në matje që e ka bërë atleten keniane të mendojë se është fituesja, duke prodhuar edhe momentin konfuzues në podium.

Rregulli i garës është se fitues është atleti që e konsumon më shpejt distancën pavarësisht kohës së nisjes. Koha e Luiza Gegës është 1.14.18 ndërsa e atletes keniane 1.14.56.