Flash News

KRYESORE

Lulzim Basha për Gramoz Ruçin: SHBA i refuzon hyrjen që në 2005-ën. Ju tregoj projektin e Ramës për “PS+”

Lulzim Basha për Gramoz Ruçin: SHBA i refuzon hyrjen që në

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për sasinë prej 2.3 tonësh drogë të kapur sot në brigjet italiane. Basha thekson se trumpetat e kryeministrit Edi Rama për luftë kundër drogës janë mashtrime për të tulatur qytetarët dhe ndërkombëtarët. Sipas tij, droga, kriminelët dhe korrupsioni janë pjesë e projektit të Ramës për ‘Partinë Socialiste+’.

“Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion”, shprehet Basha.

Numri një i opozitës shprehet se promovimi i Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt po bëhet për të favorizuar drogën dhe kriminelët, ndërsa sqaron se kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë i ndalohet hyrja në SHBA që në vitin 2005.

“Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës”, deklaron Basha.

Për të vënë Ramën para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin, Basha kërkon angazhimin e medias, intelektualëve dhe qytetarëve.

“Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë”, ka thënë ai.

Të fundit