LVV-ja i propozon LDK-së që të shtohet numri i ministrive

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë një ofertë të re Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjetur marrëveshjen dhe për të formuar qeverinë e re. Nënkryetari i parë i LVV-së, Besnik Bislimi, tha se propozimi iu dërgua mbrëmë me shkrim kryetarit Mustafa.

“E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”, tregoi ai propozimin e bërë.

Ai mendon se ka disa persona në LDK që kanë lënë të nënkuptohet se nuk preferojnë koalicion me Vetëvendosjen.