Flash News

OP-ED

Majko ik!

Majko ik!

Gent Gaba

Ditën e enjte, teksa artistët vijonin maratonën e tyre në mbrojtje të Teatrit Kombëtarë përballë Parlamentit, brenda sallës konsumohej një debat i gjatë që në fund kulmoi me një rekord kartonash të ngritur në favor të shembjes së godinës historike nëpërmjet një projektligji antikushtetues.

Sipas planit njëzet vjeçar të kryeministrit Rama, shtatëdhjetë e katër deputetë votuan pa asnjë angështi, apo dilemë mbi natyrën e veprimt të tyre politik. Nuk pranuan asnjë argument nga opozita, nuk dëgjuan asnjë fjalë nga protestuesit të mbledhur pak metra larg. I vetmi që u distancua nga ky akt marrakot ishte ish-kryeministri Pandeli Majko. Patrici i Partisë Socialiste në dukje nuk pranoi të vihej në rresht si kolegët, duke u përpjekur të ruaj një raport të drejtë me të shkuarën e tij, me një qëndrim besnik ndaj vetos që kishte ngritur mbi shembjen e Teatrit Kombëtar në vitin 2002.

Beteja verbale midis Ramës dhe Majkos ngjalli një shpresë të lehtë tek ata që shohin në dritëhijet e kësaj përplasjeje, fillimin e fundit të arrogancës së kryeministrit. Në rrjetet sociale, por edhe midis protestuesve, shpërtheu një mirënjohje për gjestin plateal të Majkos. Thurrja e lavdeve për politikanin që e ka shndërruar dorëheqjen në institucion (mjafton të kujtojmë karrierën e tij); marrjen e përgjegjësive përballë elektoratit si një kut të vlerësimit që ai ka për profesionin e tij në raport me zgjedhësit, sugjeronte se rebelimi mund të ishte edhe dominoja e parë që do të rrëzonte gjithë të tjerat.

“Majko ik!”mund të ishte refreni i gjithë atyre që, me këtë slogan, i kanë treguar më parë derën Nanos, dhe tani Ramës, por që në këto ditë mori trajtën e një thirrje që i bën apel një politikani, për t’i dhënë fund arrogancës së një tjetri.

Sipas mediave, të premten në mëngjes, Ministri i Diasporës i ofroi dorëheqjen e premtuar një natë më parë Kryeministit, por ky i funidt nuk e pranoi.

Anipse Majko vendosi në rrezik karrierën e tij - sikurse sugjeronte Giulio Andreotti, dorëheqjet nuk duhen dhënë kurrë sepse: “Ekziston përherë rreziku që t’i pranojnë” - kjo telenovelë duhet të mbarojë këtu. Kthimi në vath i ministrit, që edhe pse e mbajti mbyllur zinxhirin e pantallonave të enjten, pajtohet me përdhunimin e Kushtetutës duke u kthyer pa bëzanë aty ku ndodhi krimi, shuhan shpresën e atyre që presin që dikush tjetër mund të çojë përpara betejat e tyre politike.

Që Majko nuk e shpëton dot Shqipërinë nga Rama është e qartë aq sa ishin të qarta ato pak sekonda sherr të transmetuara në të gjitha mediat. Grushti i kryeministrit që shukej plot agresivitet mbi tryezë, nervozizmi i gjuhës së trupit që përcillte gjithë rrezikun që mbart mos shuarja në mënyrë publike i një kryengritje në tentativë; dhe largimi i Majkos përballë presionit, nuk duhen interpretuar si tensione të momentit, apo si një gjest kurajoz i Ministrit të Disaporës, por më së shumti si një ilustrim i fuqisë së pafundme që ka akumuluar kryetari i Qeverisë.

Një pushtet absolut, legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe mediatik, që ka forcën të bëjë dhe të zbëjë këdo nga deputetët nën thundrën e tij; tuti një veteran të politikës duke mos i lënë hapësirë për të shprehur vërejtjet për një shkelje flagrante të Kushtetuës. Madje u la bonjak nga kolegët e grupit parlamentar, të cilët më shumë se hallin e Teatrit Kombëtar dhe të shtetit ligjor, kanë hallin e karriges të tyre, që mesa duket i përket ekskluzivisht Ramës.

Përballë kësaj situate politike, në të cilën Rama është në rrugën e duhur për të shkelur, me bekimin e kartonave shurdhë-memecë që dominon, çdo parim demokratik, përfshirë këtu edhe ato për të cilat Majko ka luftuar gjatë angazhimit të tij 20 e kusur vjeçar; e vetmja ikje që mund të shpëtojë teatrin dhe Kushtetutën, është ajo përfundimtare nga Qeveria.

E bën dot?

Të fundit