Flash News

KRYESORE

Majko në Palermo, kërkon linjë direkte ajrore me Tiranën

Majko në Palermo, kërkon linjë direkte ajrore me Tiranën

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko dhe homologu i tij kosovar, Dardan Gashi, janë duke zhvilluar takime me drejtues të rajonit të Siçilisë dhe qytetit të Palermos. Në këto takime pune po diskutohet për bashkëpunimin midis autoriteve rajonale e lokale të Siçilisë me qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Ministrat zhvilluan takime me kryetarin e bashkisë të Palermos, Prof. Leoluca Orlando; Presidentin e Kuvendit Rajonal, Gianfranco Miccichè; Zv/Presidentin e Rajonit, Gaetano Armao si dhe autoritete të tjera lokale.

Gjatë takimeve, u diskutua se është koha e duhur për të fuqizuar lidhjen midis komuniteteve tona shqiptare dhe Kosovës sepse për shumë vite ky nuk ka qenë një proces i lehtë. Shqiptarët në Palermo flasin gjuhën shqipe, por nuk e shkruajnë, dhe çështja e gjuhës është e rëndësishme për marrëdhëniet midis komuniteteve, nënvizoi ministri Majko.

Por, nënvizoi ai, identiteti i shqiptarëve në Itali duhet dhe mund të formohet në kuadrin e sistemit shkollor italian. Një hap i rëndësishëm është mësmidhënia e gjuhës shqipe në mjediset e shkollave italiane.

Gjatë takimeve u diskutua dhe mundësia e hapjes së një linje ajrore direkte midis Palermos dhe Tiranës, e cila do të lehtësojë lëvizjet e shqiptarëve në përgjithësi, por dhe studentëve midis dy qyteteve. Autoritetet lokale shprehën vullnetin e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të diskutuara në takime.

Ministrat u shprehën se komuniteti arbëresh është një komunitet i rëndësishëm për Kosovën. Prandaj qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë janë dakordësuar për të bashkëpunuar për zbatimin e projekteve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe kulturën. Ata u shprehën se është e rëndësishme te ruhet trashëgimia kulture e arbëreshëve dhe për këtë qëllim kërkuan edhe një mbështetje më të madhe prej autoriteteve lokale.

Të fundit