Makroni kundër të gjithëve

Mario Stefanov/ geopolitika.news

Presidenti francez Emanuel Makron gjatë këtij viti hyri në konflikte të rënda me shumë lojtarë seriozë.

Konkuron me politikën gjermane duke u përpjekur t’i imponojë qëndrimet politike franceze tërë Bashkimit Europian, ndërsa nga ana tjetër, njëkohësisht ka hyrë në konflikt me partnerin transatlantik SHBA-të, duke e shpallur NATO-n, e drejtuar nga Uashingtoni, organizëm në vdekje e sipër që ka pësuar goditje në trù. Në paraqitjet publike pohon se politika amerikane ka braktisur Europën dhe e ka lënë atë në mëshirën e kaosit të ngjarjeve botërore, dhe të gjithë këto i ka bërë për të inicuar integrimin ushtarak brenda BE-së, gjithsesi, në përputhje me programin francez dhe me planet gjeostrategjike dhe interesat e Francës.

Në përpjekjen për afrimin me Rusinë ka shkaktuar rezistencën e Polonisë dhe të antarëve të tjerë të Europës Lindore të BE-së që nuk kanë besim në motivet e vërteta të Moskës, duke shkaktuar më këtë frikën tashmë ekzistuese të antarëve europianolindorë të BE-së ndaj politikës së Parisit dhe të Makronit, e cila që në fillim të saj i është turrur të ashtuquajturit populizëm, i cili për hir të së vërtetës, qeveris në këto antarë dhe kërcënon rendin europian liberal.

Krahas kësaj, duke promovuar agjendën e zhvillimit të Bashkimit Europian në shumë shpejtësi, antarët pranuar rishtas dhe ekonomikisht të dobët të BE-së, janë shtyrë në periferi të politikës euaropiane. Duke bllokuar fillimin e bisedimeve për antarsim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, ka tërhequr rezistencën ndaj politikës franceze, jo vetëm të antarëve të BE-së që mbështetin vazhdimin e zgjerimit, por edhe të shteteve europiane që nuk janë antarë të Bashkimit Europian, por gjithsesi pretendojnë në antarsimin europian.

Politika hiperaktive e Makronit, shumë shpesh e ndërlikuar dhe e paefektshme, e cila krahas, krahas efekteve të synuara, sjell edhe pasoja kolaterale për Parisin, në kontekstin e luftës së madhe për kontrollin e Europës ose, thënë më saktë, për komponenten europiane të kompleksit integrues transatlantik. Ajo zhvillohet direkt dhe në dy shina. Në të parën zhvillohet gara e shteteve europiane me Uashingtonin rreth ndikimit në Europë dhe Bashkimit Europian, ndërsa në të dytën zhvillohet lufta e ashpër për ndikim në brendësinë e Bashkimit Europian dhe shteteve më të fuqishme antare, para të gjithëve Francës dhe Gjermanisë.

Paraqitjet e Makronit dhe lëvizjet që ndërmerr politika franceze, janë në lidhje direkte me luftën e brendshme europiane për ndikim dhe konkurencë gjithnjë e më të ashpër me Gjermaninë. Nuk ka dyshim se, në prapavijën e serisë së kritikave të presidentit francez, të drejtuara gjendjes në Bashkimin Europian, zgjerimin e panikut në lidhje me mbijetesën e BE-së dhe deklaratat teatrale mbi të ashtuquajturën vdekje klinike të NATO-s, të cilën në territoret europiane u dashka ta zëvendësojë forca ushtarake europiane, nuk është asgjë tjetër veçse konflikti i kahershëm i mbytur mes Francës dhe Gjermanisë, i cili gjithnjë e më shumë po del në sipërfaqe dhe në fushëpamjen e opinionit publik.

Presidenti francez Makron, që nga fillimi i mandatit të tij përhap në mënyrë të vetëdijshme panikun për shpërbërjen dhe vdekjen e Bashkimit Europian nëse ai nuk transformohet urgjentisht sipas parimeve që ka formuluar administrata e tij. Parisi do të dëshironte, mbi të gjitha, integrim të plotë ekonomik dhe fiskal të eurozonës në mënyrë që ajo të ketë një buxhet të përbashkët dhe një ministër financash të përbashkët. Kjo, sipas mendimit të Parisit, do të krijonte kushtet për uljen e pabarazisë brenda territorit valutor dhe me kohë do të stabilizonte shtetet në krizë. Berlini e kufizon shprehimisht këtë sepse një zhvillim i tillë i kësaj strukture të BE-së, do të kërcënonte në mënyrë direkte pozitën ekonomike dominuese gjermane në Bashkimin Europian dhe do të shkonte në përfitim të antarëve që kanë probleme ekonomike siç është vetë Franca, e kësisoj, në fund të fundit, sipa vlerësimeve të politikës gjermane, do të ishte pikërisht Gjermania që do të duhej të financonte ringritjen e shteteve ekonomikisht jo stabël të BE-së.

Makroni kërkon me këmbëngulje edhe integrim më të fortë të antarëve të Bashkimit Europian në planin ushtarak sipas programit francez të militarizimit të BE-së me të ashtuqujturën European Intervention Initiative, por përgjigja e Berlinit ishte promovimi dhe lënia në funksion jo e projektit ndërhyrës, por e projektit afatgjatë të ashtuquajtur PESCO, që nuk i shkon për shtat interesave franceze për krijimin e shpejtë të forcave të afta operative të ndërhyrjes, gjë që është për ata e rëndësishme për operacionet në Afrikë për të mbajtur gjallë strukturat neokoloniale franceze në të ashtuquajturën Francafrikë, që është një zonë e ndikimit të plotë politik dhe ekonomik francez në ish kolonitë e saj të Afrikës Subsahariane. Ajo është lëkundur kohët e fundit për shkak të hyrjes së fuqive të tjera në territoret e saj, mbi të gjithë të SHBA-ve dhe Kinës, dhe pastaj edhe të tensioneve të brendshme dhe konflikteve të shkaktuara nga forcimi i radikalizmit islam. Parisi kurdoherë, nëpërmjet aksioneve informative dhe ushtarake, u ka shpëtuar kokën zyrtarëve të besuar të tij, të cilët ai ka mbajtur në pushtet për dhjetëvjeçarë të tërë në shtetet afrikane, por ngjarjet e reja, në vend të veprimtarisë diplomatike dhe agjenturore, po kërkojnë gjithnjë e më shumë kryerjen e veprimeve të mëdha ushtarake. Franca disa herë ka ndërhyrë ushtarakisht në Mali, gjë e cila ka treguar mungesën e kapaciteteve të fuqisë ushtarake franceze për transortimin e shpejtë të formacioneve të mëdha ushtarake nga Europa në Afrikë, e për pasojë gjeneralët francezë kanë qenë të detyruar të kërkojnë asistencë amerikane.

Ndërsa Berlini është i mendimit se krijimi i fuqisë ushtarake europiane sipas modelit francez do të ishte ekskluzivisht në përfitim të interesave franceze, dhe se Gjermania përsëri, si në rastin e një integrimi të thellë të eurozonës, në fund të fundit do të ishte e detyruar të paguante faturën. Përkundër kërkesave franceze, Gjermania shtyn përpara forcimin gradual ushtarak në brendësi të Bashkimit Europian, duke balancuar me kujdes mes përfitimit nga një projekt i tillë në kushtet e ekzistencës dhe veprimtarisë së NATO-s dhe çmimit që do të ishte e detyruar të paguante. Sipas ekspertëve gjermanë, NATO-ja është edhe më tej një aleancë e efektshme ushtarake, e për pasojë nuk ka asnjë kuptim që nëpërmjet krijimit të një force të armatosur europiane të përjashtohet ajo nga funksioni, por pikërisht e kundërta- nëpërmjet integrimit të forcave mbrojtëse europiane ushtarake të forcohet edhe vetë NATO.

Njëkohësisht me shfaqjen e këmbënguljes në këtë qëndrim, Gjermania lajmëron edhe forcimin e aftësive të saj ushtarake, investime të mëdha në Bundeswehr, futjen e sisitemeve të reja të armatimit dhe rritjen sasiore të bazës teknike. Sipas deklaratave, forcat e armatosura gjermane do të modernizohen teknikisht, do të rinovohen nga pikëpamja e hierarkisë, por edhe do të rriten ndjeshëm. Kështu përshembull, këtyre ditëve nga industria ushtarake gjermane si fillim janë dorëzuar diçka më pak se njëqind tanke gjermane Leopard 2A7 për nevojat e Bundeswehr-it.

Presidenti Makron, „vdekjen e trurit“ të NATO-s, siç e cilësoi gjendjen në këtë aleancë, në intervistën e paradokohëshme në „The Economist“, e shpjegon me „braktisjen e Europës nga ana e SHBA-ve“. Thekson se dyshon në qëndrueshmërinë e klauzolës së NATO-s për mbrojtjen reciproke duke thënë: „NATO-ja vepron vetëm nëse garancia amerikane është e besueshme. Unë do të thoja se do të duhet të rishikojmë realitetin e rolit të NATO-s në dritën e politikës aktuale të SHBA-ve“. Zëvendësja e drejtorit të përgjithshëm të International Institute for Strategic Studies (IISS) dhe profesoresha e King’s College London War Studies, Kori Schake vlerëson për „The Atlantic“ synimet e vërteta të Makronit dhe deklaron: „Ajo që ai dëshiron për Europën është rikthimi i sovranitetit të saj ushtarak nga duart e SHBA-ve, dhe kjo në rastin më të mirë është tejet ambicioze, sepse çmimi më i ulët për të zëvendësuar ndihmën ushtarake të ofruar nga NATO me ushtrinë europiane do të ishte 347 miliard dollarë. Për të paguar këtë shpenzim, sipas vlerësimit të Institutit Ndërkombëtar për studime stategjike (IISS) shteteve europiane do tu duheshin së paku 20 vite. Kësisoj, planet e Makronit nuk është se janë tejet ambicioze, por janë thjesht të parealizueshme“.

Jo rastësisht presidenti Makron pikërisht tani ka filluar këtë ofensive të imponimit të politikës franceze Bashkimit Europian. Nga njëra anë është i motivuar me mossukseset e deritanishme dhe refuzimin e fortë të Gjermanisë për propozimet franceze, por nga ana tjetër llogarit se iniciativa e tij politike mund të ecë më lehtë në vakuumin e strukturës politike gjermane në momentet kur kancelarja gjermane Anxhela Merkel po tërhiqet nga skena politike dhe kur Mbretëria e Bashkuar po del nga Bashkimi Europian, ndërsa administrata e Trampit po i bën presion Europës me luftëra tregtare, nëpërmjet presionit ndaj partnerëve europianë për blerjen e armëve amerikane dhe gazit të lëngshëm dhe jo pak për kërkesat e saj për financim më të madh të NATO-s, ose më mirë të themi, sipas pikëpamjes amerikane, për një vlerësim real të çadrës ushtarake amerikane në Europë.

Makroni në këtë rast merr në konsideratë shansin duke llogaritur në mbështetjen e shteteve jostabël të Europës Jugore, para të gjithave Spanja dhe Italia. Për këtë atij i vjen në ndihmë edhe rrethana se, pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, nuk do të ekzistojë më e ashtuquajtura ‘veto e strukturuar e pakicës’, e cila ishte e orientuar kundër atyre shteteve të BE-së që kundërshtonin politikën fiskale gjermane të kursimit. Sepse Londra ka qenë gjithmonë përkrah Berlinit dhe me mbivotim ka anulluar votat e shteteve më të dobëta ekonomikisht të Unionit. Pikërisht përkëtë Brexit-i i shkon për shtat Parisit në një masë të madhe dhe krijon hapësirë të madhe manovrimi për politikën franceze e cila tani bëhet, jo më antarja tretë më e fortë, por e dyta, menjëherë pas Gjermanisë.

Vështirë të numërohen mjetet që përdori këtë vit presidenti francez në politikën e tij hiperaktive të promovimit të ndikimit francez. Në muajin shkurt, në mënyrë të befasishme tërhoqi mbështetjen për projektin gjerman të gazsjellësit „Nordstream 2“, dhe qeveria gjermane, vetëm nëpërmjet një presioni të fortë, arriti ta ruajë ekzistencën e këtij projekti. Në mesin e muajit prill, Parisi votoi kundër bisedimeve formale mbi marrëveshjen tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve, e cila, sipas vlerësimit francez, ishte mbi të gjitha në interes të Berlinit. Sepse Uashingtoni kërcënon me vendosjen e tarifave më të larta doganore për eksportin në tregun amerikan për shkak të suficitit tregtar gjerman me SHBA-të. Meqënëse peshën kryesore të eksporteve të industrisë europiane të automobilëve në tregun amerikan e përbëjnë prodhimet gjermane, rreziku më i madh i këtij kërcënimi është i orientuar ndaj industrisë gjermane e kësisoj, lidhja e një marrëveshje të volitshme me palën amerikane, i shërben kryesisht interesit gjerman.

Njëkohësisht Makroni, në programin e tij për riformatimin e eurozonës, krahas kërkesave për integrim financiar ka përfshirë edhe kërkesën për zvoglimin e ekspansionit eksportues gjerman dhe zvogëlimin e suficitit tregtar gjerman të tregtisë së jashtme, gjë e cila, sipas vlerësimeve franceze, po i sjell dëme jo vetëm partnerëve amerikanë, por edhe atyre europianë. Pas deklaratës së Makronit se në këtë çështje do të përfshijë edhe komunimin politik me Gjermaninë, Instituti parizien për marrëdhënie dhe strategji ndërkombëtare („Institut se Relations Inernationale e Strategiques- IRIS) në studimin e tij deklaron menjëherë: „Fiksimi eksportues gjerman që mbështetet në teprica të mëdha tregtare, shkon në dëm të shteteve partnerë brenda BE-së dhe nuk mund të mbahet për një periudhë afatgjatë“. Në nivel politik, ministri francez i ekonomisë Bruno Le Maire filloi të këmbëngulë haptazi në Berlin për zhvendosjen e kontrolluar nga ekspansioni i njëanshëm eksportues. IRIS-i në analizën e tij konkludon, plotësisht në harmoni me orientimin e politikës zyrtare franceze,se Parisi „në muajt në vijim ndoshta do të duhet pak a shumë të merret në mënyrë eksplicite me çështjen e suficitit tregtar gjerman“. Studimi i IRIS-it, thekson dëmet e një politike të tillë gjermane kur nënvizon: „Përfundimisht, suficiti i pakontrolluar tregtar gjerman ka efekte serioze te partnerët europianë por edhe te vetë SHBA-të, presidenti (Tramp) ka arritur të sjellë në nivel ndërkombëtar suficitin tej mase të eksportit gjerman. Franca kësisoj ka mjaft arsye të bëjë të njëjtën gjë, e duket qartë se, në kritikën ndaj politikës epskortuese gjermane, ajo nuk ështe e vetme“.

Por, problemet e vërteta të shkaktuara nga politika franceze nën shkopin dirigjues të Makronit, do të lindin në momentin kur ai të mos arrijë, në garën me Gjermaninë, të realizojë planet e tij hiperambicioze të forcimit të rolit francez brenda Bashkimit Europian dhe të vendosjes së ekuilibrit, sipas masës së tij, me Gjermaninë. Makroni që tani është i mendimit se Gjermania po përpiqet të europeizojë antarsimin francez në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe statusin e fuqisë nukleare. Politika franceze vlerëson se Gjermania po ia arrin kësaj edhe në shpinë të Francës, dhe, nëpërmjet BE-së, po multiplikon fuqinë e saj dhe kësisoj praktikisht po shfrytëzon Francën për ngritjen e Bashkimit Europian në nivel global nën hegjemoninë gjermane dhe kjo pa shpërblimin adekuat të Francës. Makroni dhe administrata e tij duan ta ndryshojnë këtë në çfarëdolloj mënyre dhe do të bllokojnë proceset e filluara në këtë drejtim. Kur ai dhe politika e tij të mos ia arrijnë një gjëje të tillë, atëherë konflikti ekzistues mes Francës dhe Gjermanisë do të thellohet akoma më tej dhe do të fitojë akoma më shumë ashpërsi, megjithëse të dy këta shtete janë të lidhura me një sërë interesash, si në planin e politikës së jashtme ashtu edhe në atë ushtarak.

Është pyetje më vete se çfarë roli atëherë ka për të luajtur Mbretëria e Bashkuar, e cila sipas të gjitha gjasave, së shpejti do ta braktisë BE-në. Ajo, si antare e NATO-s edhe më tej do të ndikojë në Europë, dhe për shekuj të tërë politika e saj ndaj Europës kontinentale është reduktuar në manipulimin me fuqitë europiane, gjë për të cilën përherë ka qenë lidhur me fuqinë e dytë më të madhe europiane, në mënyrë që të mbante nën kontroll dhe të kufizonte ndikimin e shtetit europian më të fuqishëm në çështjet europiane edhe botërore. Në shekullin e fundit, ka qenë kurdoherë Gjermania në qendër të vëmendjes së saj si fuqia më e madhe europiane dhe Franca si fuqia e dytë kontinentale europiane. Kësisoj, lidhja britanike ka qenë e orientuar për nga Franca në mënyrë që të kontrollohej Gjermania. Situata e fundit të shekullit të 19 dhe e fillimit të shekullit të 20-të mund të përsëritet me të gjithë demonët që ajo sjell me vete.

Agjendës britanike të krijimit të së ashtuquajturës Britani e Madhe Globale, nuk i shkon për shtat ngritja e Bashkimit Europian dhe Gjermanisë në pozitat e fuqisë globale. Janë pothuajse të dukshme përpjekjet e lidhjes së saj me Parisin gjë e cila do t’i kontribuojë forcimit të konfliktit mes Francës dhe Gjermanisë.

Por konflikti i Makronit me të gjithë dhe nënvizimi i rëndësisë së Francës në Europë dhe në nivel botëror ka kufizimet e tij. Makroni nuk është De Goli që ishte në gjendje të kontrollonte sistemin „francafrikan“ dhe të lidhej apo të shkëpuste lidhjet sipas dëshirës së tij me NATO-n. As Franca nuk është ajo që ka qenë në kohën e De Golit në planin ekonomik dhe ushtarak. Kësisoj, kundërvënia mes Parisit dhe Berlinit nuk duhet kuptuar si drastike. Kjo, në shpërndarjen e tanishme të raporteve të fuqive botërore, është luftë brenda së njëjtës familje, luftë bërrylash ndaj njëri-tjetrit për një pozitë më të mirë në perandorinë e përbashkët franko-gjermane, si trupëzimi modern i perandorisë së fuqishme të Karlit të Madh, para ndarjes së saj në dy pjesë nga ku më vonë lindën Franca dhe vendet gjermanike.

Bashkimi Europian është pikërisht ky- shpirti i ngjallur i Europës karoliniane. Parisi dhe Berlini, nëse nuk ndodhin shtresëzime tektonike në skenën europiane, pa marrë parasysh garimin mes tyre, do të jetë përherë të fituar, ndërsa të tjerët, që nuk janë në sferën e interesave të tyre më të ngushta, do të jenë ashtu si ta përcaktojnë zotët e Bashkimit Europian të cilët momentalisht janë të zënë me pozicionimet mes tyre.