Mali i Zi i shqetësuar për ndërtimet e hidrocentraleve nga Shqipëria në lumin Cijevna

Qeveria e Malit të Zi është e shqetësuar për ndërtimin e planifikuar të mini-hidrocentraleve në lumin Cijevna nga Shqipëria dhe do të kërkojë më shumë informacion për këto projekte në një takim të komisionit të përbashkët për administrimin e ujit më 19 shtator.

Deri tani asnjë përgjigje nuk është dhënë nga autoritetet shqiptare.

“Mali i Zi do të nisë të gjithë mekanizmat në dispozicion të përcaktuara në konventat ndërkombëtare që janë të detyrueshme për të gjitha shtetet. Kjo temë duhet të përditësohet në seancën e Komisionit Ndër-Shtetëror të Malit të Zi dhe Shqipërisë për Bashkëpunim në Menaxhimin e Ujërave,” informoi qeveria malazeze.

Shqipëria planifikon të ndërtojë 14 hidrocentrale të vegjël në Cijevna, i cili fillon në Shqipëri, por që kryesisht kalon nëpër Mal të Zi, raporton Birn.

Por ministria malazeze për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Turizëm reagoi tetorin e kaluar pasi aktivistët e mjedisit paralajmëruan se kishin filluar punimet në shtratin e lumit Cijevna në Shqipëri.

Sipas OJQ-ve, hidrocentralet dëmtojnë ekosistemin e lumit. Ambientalistët thonë se digat do të shkatërrojnë një nga lumenjtë e fundit me rrjedhë të lirë të Evropës, do të ndërpresin rrugët e emigrimit të peshqve dhe do të kërcënojnë dhjetëra specie të rralla.