Flash News

KRYESORE

Manaferra e detit, bima që mposht plakjen

Manaferra e detit, bima që mposht plakjen

Frutat e egra janë konsideruar gjithnjë si një nga dhuratat më të çmuara të natyrës për njeriun. Manaferra e detit është padyshim një prej tyre. Ajo gjendet me shumicë në brigjet e Mesdheut ku kripa e detit pengon bimët e tjera më të mëdha që synojnë ta pushtojnë. Në Shqipëri, manaferra e detit shfaqet si një shkurre subalpine në malet e Rivierës së Jugut. Kjo bimë e toleron kripën e ajrit dhe tokës, por kërkon shumë dritë dielli për t’u rritur dhe nuk e duron dot hijen e pemëve të tjera më të mëdha.

Llogaraja është padyshim një nga zonat më popullore, ku shqiptarët mbledhin manaferrat e detit. Manaferra e detit është një super frut që përmban të gjitha acidet yndyrore Omega 3, 6, 9, madje edhe atë të rrallën Omega 7. Për më tepër ajo përmban një sërë antioksidantësh dhe përbërësish fantastikë. Është përdorur për të trajtuar sëmundjet e lëkurës që shoqërohen me njolla dhe kruajtje, për t’i dhënë shkëlqim lëkurës, forcuar imunitetin, ngadalësuar plakjen, ulur kolesterolin etj. Megjithatë ajo ka edhe një sërë vlerash të tjerash që e bëjnë atë një burim superior vitaminash dhe mineralesh. Bima e manaferrës së detit ka degë të dendura dhe me gjemba. Mbledhja e frutave është e vështirë për shkak të gjembave që rrethojnë secilën degë.

Mënyra më e përhapur mesdhetare e mbledhjes së frutave është prerja e gjithë degës, ndonëse kjo e shkatërron gjithë shkurren dhe ul aftësinë e saj për të prodhuar më shumë fruta. Pas këputjes, dega futet në frigorifer dhe ftohja lejon që kokrrat të shkëputen lehtësisht prej saj. Disa sipërmarrës të kontaktuar nga AgroWeb.org të mbështetur nga ekspertë të huaj po eksperimentojnë në disa miniparcela mundësinë e kultivimit të shkurres duke përdorur hibride të egra, por ende janë hapat e parë dhe AgroËeb.org do t'ju informojë gjërësisht në vijim. Kokrrat e manaferrës së detit janë të ngrënshme dhe ushqyese ndonëse janë disi të tharta dhe vajore. Po të hahen të gjalla nuk kanë shumë shije, por nëse i ngrini në frigorifer ose i përzieni në pije të ëmbla të frutave si të rrushit apo të mollës, atëherë shijojnë më shumë.

Për më tepër, fermentimi i lëngut të manaferrës së detit largon shijen e thartë dhe shumëfishon aspektet e tjera pozitive të saj. Përveç lëngut, fruti i manaferrës së detit përdoret për të bërë ëmbëlsira, verë frutash, locione dhe liker. Lëngu ose tuli përdoret në ushqime, pije dhe produkte kozmetike. Kina u bë i pari vend që nxorri lëngun e manaferrës së detit, që tani është mjaft popullore në Gjermani dhe në vendet Skandinave, për shkak të sasisë së lartë të vitaminës C dhe karotenoidëve. 

Të fundit