Flash News

KRYESORE

Mandija: Raporti për zgjedhjet e 25 qershorit iu është dorëzuar ndërkombëtarëve

Mandija: Raporti për zgjedhjet e 25 qershorit iu është

Ditën e sotme ministrat teknikë të PD, dorëzuan zyrtarisht në kryemisntri dorëheqjet e tyre  dhe publikuan raportin për zgjedhjet e 25 qershorit. Në këtë kontekst zëvëndëskryeminstrja Ledina Mandija ka deklaruar se të gjithë problematikat që janë evidentuar dhe përmbledhur në raport i janë dërguar edhe ndërkombëtarëve. Duke u shprehur se edhe ata janë në dijeni për atë çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri.

Ndërkohë më tej në deklaratën e saj, Mandija shprehet se çdo e dhënë në materialin përmbledhës është një pasqyrim i saktë, i konsoliduar dhe sistematik, ndërsa shton se ky material do të shërbejë në të ardhmen për forcat politike, por edhe për institucionet shqiptare.

Deklarata e plotë e Ledina Mandijës

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija në mbyllje të procesit zgjedhor dhe mandatit të Task-Forcës për zgjedhjet 2017 dëshiron të falenderojë:

Të gjithë anëtarët e Task-Forcës për kontributin e dhënë përmes informacioneve, raportimeve dhe diskutimeve në funksion të monitorimit të procesit zgjedhor si dhe për gjetjet e konstatimet gjatë këtij procesi;

Anëtarët e ftuar të Task-Forcës për pjesëmarrjen në mbledhjet e Task-Forcës dhe bashkëpunimin si dhe për informacionin e dërguar prej tyre;

Institucionet e tjera dhe ato të pavarura për informacionet, raportimet dhe problematikat e dërguara lidhur me procesin zgjedhor në zbatim të VKM 473/2017.

Një falënderim i sinqertë shkon për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për kontributin dhe asistencën në hartimin dhe përgatitjen e akteve nënligjore në kuadër të këtij procesi, për ekspertizën e tyre dhe për pjesëmarrjen në mbledhjet e Task-Forcës.

Gjithashtu një falënderim i veçantë është për median e shkruar, audio-vizive dhe online për pasqyrimin korrekt dhe çast pas çasti të punës së Task-Forcës përgjatë procesit zgjedhor.

Raportimet në media për gjetjet dhe qëndrimet e Task- Forcës kanë kontribuar në realizimin e synimeve të saj dhe konstatimin e realitetit në të cilin zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Task -Forca është përpjekur të jetë transparente me median dhe kjo është shprehur përmes qindra lajmeve, një numër të madh njoftimesh për shtyp, daljesh televizive dhe intervistash në oraret më të ndjekura të emisioneve shqiptare.

Në përfundim të procesit zgjedhor materiali përmbledhës që pasqyron gjetjet dhe konkluzionet e ministrive dhe të institucioneve të tyre të varësisë, dërguar me shkrim apo të diskutuara në mbledhjet e Task-Forcës, përbën produktin përfundimtar të punës që i shpërndahet anëtarëve të Task-Forcës, subjekteve zgjedhorë, OJF me objekt veprimtarie në fushën e zgjedhjeve si dhe partnerëve ndërkombëtarë e pjesëmarrësve të tjerë në proces.

Çdo e dhënë në materialin përmbledhës është një pasqyrim i saktë, i konsoliduar dhe sistematik i të gjithë informacionit dhe raportimeve në kohë të bëra veçmas nga secila ministri, si organ kushtetues, në përputhje me sferën e përgjegjësisë shtetërore që mbulon.

Ky material do të shërbejë në të ardhmen për forcat politike, por edhe për institucionet shqiptare që të reflektojnë lidhur me sjelljen institucionale dhe politike si dhe për të kryer ndryshimet e duhura në kuadrin ligjor me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Të fundit