Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Maqedoni e Veriut, Zaev “pastron shtëpinë” dhe kërkon ndryshime në qeveri
Ndryshimet e paralajmëruara që pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të 21 prillit në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev i ka nisur fillimisht nga “shtëpia” e tij, për t’i vijuar më pas edhe me kabinetin qeveritar, sipas pritshmërive në fillim të muajit qershor.
Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të Partisë Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM) mbrëmjen e së dielës, këtë të hënë Zaev ka shkarkuar thuajse të gjithë funksionarët e lartë të partisë, me pretendimet se janë sjellë në mënyrë arrogante dhe aspak profesioniste, siç është cituar nga “Zëri i Amerikës”.
Nga masa e fundit e Zaevit janë prekur 6 nënkryetarë të LSDM-së, 3 sekretarë dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv. Disa prej nënkryetarëve të shkarkuar mbanin poste të larta qeveritare apo janë ligjvënës në Parlament.
Pikërisht në Kuvendin e Maqedonisë do të duhet të paraqitet Zaev në fillim të qershorit, kur paralajmëron të ndryshojë një pjesë të mirë të kabinetit të tij, mjaftueshëm sa për të pasur nevojën e votëbesimit të saj nga legjislativi.
“Jam pranë ndërrimit të një të tretës së ministrave, që nënkupton se do të duhet votim për tëgjithë qeverinë. Do të ketë ndryshime edhe në pozicione të tjera, kudo ku është regjistruar arrogancë dhe mungesë e rezultateve. Unë do të mbikëqyr punën e çdo zyrtari, do të kritikoj dhe do të kërkoj dorëheqjen e secilit që nuk punon”, është shprehur Zaev.
Por a do të preket partneri në koalicion, BDI-ja e Ali Ahmetit? Ndryshime sigurisht do të ketë dhe Zaev thuhet t’i ketë dorëzuar kreut të forcës më të madhe të shqiptarëve në Parlamentin maqedonas, një listë me emrat e zyrtarëve të kësaj partie që duhen ndryshuar si pasojë e rezultateve të dobëta.
Pavarësisht se Zaev i argumenton me “arrogancën dhe punën jo rezultative”, opozita e bën përgjegjës kryeministrin për situatën në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar madje dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.