Flash News

KRYESORE

Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO, ja me çfarë emri

Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO, ja me çfarë

Maqedonia mbetet e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë, me të cilën për më shumë se dy dekada ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, para vizitës të së enjtes në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas.

Dimitrov tha se Maqedonia dëshiron zhbllokimin e procesit të integrimit euroatlantik nga ana e Greqisë, bazuar në marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me të cilën edhe është pranuar në më shumë institucione tjera ndërkombëtare, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për emrin kushtetues të Maqedonisë. Me rëndësi, siç tha Dimitrov, është që të “vendosim relacione të hapura dhe të shohim se çfarë është me rëndësi për Greqinë, por edhe të sqarojmë se çfarë është me rëndësi për vendin tonë”.

Shefi i diplomacisë tha se Maqedonia është e gatshme të pranojë antarësimin në NATO  me emrin IRJM (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

Në konferencën kushtuar anëtarësimit në NATO ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, i cili në paraqitjen para të pranishmëve i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, mediat kanë transmetuar edhe pritjet e palës greke sa i përket vizitës së shefit të diplomacisë greke, e që kanë të bëjnë me forcimin e besimit të ndërsjellë, zbatimin dhe zgjerimit e masave që mund të ndërmerren nga të dyja vendet. Këto masa, siç transmetojnë mediat, janë të rëndësishme për Athinën, pasi jo vetëm që mund të përmirësojnë klimën, të konsolidojnë dhe forcojnë besimin mes dy vendeve, por mund të shërbejnë në të ardhmen për qasje në zgjidhjen e çështjes më të ndjeshme të emrit./REL

 

Të fundit