Flash News

KRYESORE

Maratona e Tiranës ndryshe, në garë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti

Maratona e Tiranës ndryshe, në garë për rindërtimin e

Maratona e Tiranës mbahet në datën 13 tetor. Këtë  vit shënohet edicioni i saj i katërt. Aty do të marrin pjesë mbi 1 mijë vrapues të regjistruar nga 35 vende të ndryshme të botës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u regjistrua sot si pjesëmarrës në maratonë, në një nga pikat e ngritura posaçërisht nga organizatorët në sheshin “Skëndërbej”. Veliaj u  bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duan të garojnë që të regjistrohen sa më parë.

 “Sapo u regjistrova për të vrapuar në maratonën e Tiranës në 13 tetor. Kam një lajm të mirë për të gjithë ata që, si puna ime, e kanë lënë për minutën e fundit: regjistrimet i kemi shtyrë deri në 6 tetor, ndaj dua t’i ftoj të gjithë ata qytetarë, të apasionuar pas sportit apo atletë, të shfrytëzojnë kohën deri në 6 tetor”, tha Veliaj.

E  vecanta e kësaj radhe është se gara do t’i kushtohet ndërgjegjësimit të qytetarëve për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Unë kam zgjedhur një kauzë, do të vrapoj në maratonë për të ndihmuar rindërtimin e të gjitha shtëpive të prekura nga tërmeti. Nëse dikush, ashtu siç ka mbështetur disa kauza mjedisore apo kauza të tjera sociale, do të mbështesë kauzën për të cilën unë vrapoj, di se ku më gjen në qendër të Tiranës”, theksoi Veliaj.

Në maratonë do të ketë edhe të moshuar. Në Ditën e të Moshuarve, kryebashkiaku tha se regjistrimi i kësaj kategorie është pa asnjë kosto. Një tjetër kategori që do jetë e favorizuar për të marrë pjesë në Gjysmë-Maratonë do jenë edhe studentët. Kryebashkiaku nënvizoi se të gjithë ata që kanë një kartë studenti do të përfitojnë ulje në kuotën e regjistrimit.

“Lajmi tjetër i mirë është: për të gjithë studentët kemi ulje me kartën e studentit deri në 80% të maratonës. Pagesa është komplet simbolike, sa për t’u siguruar që ai që regjistrohet realisht vjen, duke qenë se bashkia paguan një çip, një bluzë, një çantë me të gjitha materialet e maratonës”, sqaroi Veliaj.

Të fundit