Flash News

KRYESORE

Marksizmi e ka vendin në koshin e historisë

Marksizmi e ka vendin në koshin e historisë

Alba Kapa

Në emër të vizionit Marksist për një “shoqëri të re” dhe për “njeriun e ri”, revolucionet komuniste dhe socialiste shkaktuan vrasje masive, genocid, burgim dhe tortura për qindra miliona njerëz anembanë botës. Historianët llogarisin se në këto përpjekje për të krijuar një botë të re dhe më të mirë socialiste, regjimet komuniste vranë rreth 100 milionë njerëz.

“Ka vetëm një mënyrë … se si tranzicioni nga shoqëria e vjetër te lindja e përgjakshme e shoqërisë së re mund të shkurtohet, të thjeshtohet dhe të përqendrohet, dhe kjo është nëpërmjet terrorit revolucionar”, ka shkruar fjalë për fjalë Marksi.

Marksi, në fakt, ka lënë pas jo vetëm teorinë e tij mbi kapitalizmin, por edhe manualin e përdorimit për revolucionin dhe vrasjet masive. Bashkë me Englesin ai shkroi një udhëzim për Komitetin Qendror të Internacionales Komuniste në mars të vitit 1850. Që kur ishte gjallë, Marksi u bë avokati i dhunës me çdo kusht, i hakmarrjes kundër të gjithë kundërshtarëve, deri në fitoren përfundimtare dhe totale të revolucionit.

Po këto janë të gjitha të ditura dhe të thëna, të dëgjuara dhe të folura, të studiuara dhe të botuara. Çfarë është ndryshe këtë 200 vjetor?

Kina u përpoq shumë këtë vit që bota ta kuptonte drejt Marksin, jo vetëm me statujën e dhuruar vendlindjes së tij, por edhe me sponsorizimin e konferencave, ekspozitave, promovimit të librave në të gjithë botën. E gjitha kjo për të nderuar ideologjinë e komunizmit. Dhe për këtë qëllim, qeveria kineze nën drejtimin e Partisë Komuniste të Kinës mendohet se ka harxhuar miliarda euro.

Maja e festimeve të 200 vjetorit të lindjes së Marksit ishte vendosja e statujës së tij në qytetin e lindjes, Trier në Gjermani, dhuratë e qeverisë kineze. Shtypi lokal shkroi se ndonëse shtatorja 5,5 me e lartë ishte e padëshiruar për banorët e qytetit, ajo u zbulua nga autoritetet lokale në një ceremoni festive në 5 maj ku mori pjesë Kreu i Komisionit Europian, ndonëse përfaqësues të ish-vendeve komuniste që sot janë në BE e kundërshtuan përpjekjen për të rehabilituar një ideologji që i mbajti ata të izoluar për gati gjysëm shekulli.

Jean-Claude Juncker, në fjalën e tij në Trier, foli për komunizmin pa përmendur as krimet e tij dhe as viktimat. Duke u shprehur se idetë nuk kanë konsekuenca, ai shtoi se “Karl Marks ishte një filozof i cili mendonte në të ardhmen, me aspirata kreative, dhe sot, ai përfaqëson gjëra për të cilat nuk është përgjegjës dhe të cilat nuk i ka shkaktuar ai, sepse shumë nga gjërat që ai tha u rishkruan pas vdekjes së tij dhe u tranformuan.”

Por, nëse përpjekjet e Kinës për të ngritur në pedestal Marksin kuptohen, bën gjithnjë e më habi mbështetja që marksizmi merr nga institucionet e BE.

Festimet e turpshme për 200 vjetorin e Marksit në fakt nuk filluan këtë vit. Me rënien e Perdes së Hekurt, pra për 3 dekadat e fundit, filozofia “e majtë” e ka dominuar arsimin, median, politikën dhe kulturën në botën e lirë dhe demokratike. Aq sa lavdet për Marksit pas krizës financiare të vitit 2008, vinin edhe nga gazeta zyrtare e Vatikanit, L’Osservatore Romano. Në një artikull botuar në 2009 ajo lavdëronte diagnozën e Marksit mbi pabarazinë e të ardhurave, pra lavdëronte njeriun që kishte deklaruar se feja është opium për popujt!

Komunizmi vrau mbi 100 milionë njerëz në shekullin 20, më shumë se cdo “izm” tjetër! Ne, shqiptarët jemi ndër popujt viktimë të kësaj ideologjie vrasëse dhe çnjerëzore. Atë që Marksi quante kapitalizëm, ne sot e quajmë LIRI! Ndaj është thellësisht shqetësuese që 200 vjet pas lindjes se Marksit dhe 100 vjet pas Revolucionit Bolshevik, Bota e Lirë jo vetëm nuk mbron vlerat e saj, por promovon ideologji që punojnë kundër dhe për shkatërrimin e saj!

Të fundit