Flash News

KRYESORE

Marrëveshja Basha-Rama dhe viktima kolaterale Erion Veliaj

Marrëveshja Basha-Rama dhe viktima kolaterale Erion Veliaj

Gentian Gaba

Mënyra se si u vendos fjala 'fund' mbi krizën politike dhe marrëveshja që lindi me prerjen cezariane – nëpërmjet faktorit deus ex machina Hoyt Yee - ngjalli remineshencat e një të shkuare jo shumë të largët, atë të vitit 2008. Anacikloza, teoria mbi evolimin ciklik të regjimeve politike, që sipas historianit grek Herodoti përkeqësohen me kalimin e kohës duke ndjekur një model qarkor, dhe kur kanë arritur fazën finale kthehen në fazën fillestare, gjen jehonë në ciklin politik 2008 -2017.

Marrëveshja Berisha – Rama e vitit 2008 hodhi bazat për ndryshimet kushtetuese që në thelb, sikurse vërtetoi edhe koha, prodhuan krizën e politike aktuale, e cila në analizë të fundit nuk ishte gjë tjetër veçse në një revoltë e partive të mëdha kundër partive të vogla, më konkretisht, kundër LSI-së, partisë që në dy legjislaturat e fundit mbante në dorë fatet e qeverisë.

Nëse Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i rezistojë revanshit demokrat dhe socialist, sikurse ndodhi edhe dekadën e fundit - që në fakt mund të quhet dekada e Ilir Metës – trajektoret që do të marrë politika shqiptare do të jenë një copy & paste e ciklit të sapo mbyllur. Që ky “atentat” ndaj mbretbërësit, që lakmon fronin e mbretit, të ketë sukses duhet një moment i ri politik, një mazhorancë qeverisëse pa LSI-në.

Marrëveshja rriti ndjeshëm pushtetin e dy kryetarëve të partive të mëdha. Detanta mund të konkretizohet në shtatorin e ardhshëm në një aleancë dyvjeçare midis PS-së dhë PD-së, me objektiva të mirëpërcaktuara që do të synojnë reformimin e vendit me një axhendë bipartizane në funksion të Integrimit Europian.

Ndonëse ky mbetet një interpretim i dinamikave në bazë të një deduksioni të diktuar nga modus operandi i aktorëve politikë, jo gjithmonë konsekuent, pra mbi vullnetin e mirë të palëve mund të mbizotërojnë një egoizëm dhe një makutëri të zakontë në këto vise; efektet e para kolaterale të kësaj marrëveshje shumë shpejt mund t’i pësojë politikani që më shumë i druhej prishjes së kurorës midis Ramës dhe Metës: Erion Veliaj. 

Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend ka qenë ambasadori i paqes midis dy liderëve socialistë. Nëse nga njëra anë e PS-së qëndronin fajkojtë, që shihnin me sy nazikë përhapjen e LSI-së, nga ana tjetër kishte mbetur pëllumbi i socialistëve dhe delfini i Kryeministrit. Veliaj, i cili sipas një perceptimi të krijuar vitet e fundit, dhe sipas një logjike politike jo dhe aq të sforcuar, do të jetë pretendenti për kryesinë e PS-së kur Rama do të mbyllë ciklin e tij politik për t’u transformuar në artistin bohemian që ai pretendon të jetë.

Llogaritë dhe rrekjet e Veliaj për paqe nuk ishin të gabuara. Nëse ai vazhdon të përdorë si trampolinë postin e tij dhe të reklamojë akoma më fort aktivitetin si kryebashkiak, jo vetëm që duhet të pretendojë për të udhëhequr selinë rozë, por të jetë edhe kandidati socialist për Kryeministër në vitin 2029. Ndonëse data duket e largët, ambicjet e themeluesit të Mjaft-it sugjerojnë se ai ka një qasje strategjike dhe afatgjatë për rrugëtimin e tij politik.

 

Pra ambicja e qytetarit të parë të Tiranës, shumë shpejt, do të gjendet përballë Presidentit të zgjedhur dhe partisë së tij. Kingmaker-i mban tani në dorë fatin politik të Erion Veliaj. Këshilli Bashkiak i Tiranës, që përkrah çdo iniciativë të Kryebashkiakut, vepron me votat e LSI-së, të cilat mund të mos ta mbështesin zellin e socialistit në rastin e një konflikti frontal. Këtë e pësoi Basha në 2013, këtë mund ta pësojë Veliaj në 2017.

Loja e madhe e politikës do të bllokojë sërisht Bashkinë e madhe të Tiranës dhe bashkë me të ambicjen akoma më të madhe të enfante prodige, Erion Veliaj.

Të fundit