Flash News

OP-ED

Marrëveshja Kosovë-Serbi: Ditën e dytë Uashingtoni krijoi botën

Marrëveshja Kosovë-Serbi: Ditën e dytë Uashingtoni krijoi

Alfred Lela

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë certifikuar idenë e përbashkët të mini-Shengenit ballkanik, një prej pikave në paktin ‘e bekuar’ nga Trump, arritur të premten mes Prishtinës dhe Beogradit. Apo më saktë kanë treguar se shtysa për atë nismë ishte, në fakt, amerikane. Kosova, përkundër parehatisë së një pjese të elitave të Prishtinës dhe Tiranës, do të duhet të pajtohet me Serbinë në një hapësirë të përbashkët ekonomike; shqiptarët dhe sllavët do të jenë bashkë në një jugosferë apo albansoferë, quajeni si të doni.

Çka ishte më e rëndësishmja, në pikat e dakordësuara nga palët, nuk u shfaq fantazma e këmbimit të territoreve që i ka mbajtur në ankth shumë prej pandehmave dhe teorive në lidhje me marrëveshjen, që prej kohës kur ideja u bë publike. Nuk do të ketë Luginë të Preshevës dhe Mitrovicë të veriut që do ndërrojnë vendet, dhe sa i takon liqenit të Ujmanit (Gazivodës) ai do të ‘përbashkësohet’.

Rrugët, hekurudhat dhe portet shfaqen si ‘smeralde’ në marrëveshje, duke formësuar kredon liberale se nëpërmjet ekonomisë shkohet drejt njohjes, begatisë dhe hapjes. Në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë shfaqet i qartë ai që kujtohej i zhdukur, rendi liberal botëror, i ashtuquajturi Pax Americana (paqja amerikane) dhe ky është një lajm i mirë.

Palëve u kërkohet të dizajnojnë organizatën Hezbollah si terroriste, ndërsa Kosova të njohë Izraelin dhe Serbia të pranojë Jeruzalemin si kryeqytet të shtetit hebraik.

Me këtë lëvizje Trump ka arritur që të inkorporojë më shumë botë sa dukej se lejonte mosmarrëveshja klasike mes dy vendeve të vogla në Ballkan, duke e globalizuar paktin edhe sipas nevojave të brendshme, më saktë zgjedhjeve të fillimnëntorit, ku ai kërkon mandatin e dytë.

Paradoksalisht ndoshta, administrata konservatore amerikane ka futur ndër pikat e marrëveshjes edhe dekriminalizimin e homoseksualitetit nga të dy vendet. E gjitha ngjan si një tribut për Ambasadorin Grennell, ‘kumbarin’ e marrëveshjes që është homoseksual.

Kur duket se të gjithë kanë fituar, ka edhe të humbur nga kjo marrëveshje. Simbolikisht, Hashim Thaçi një prej shtytësve të kësaj ‘paqeje të brishtë’ të arritur në Uashington, ka humbur një firmë përkrah asaj të presidentit Trump, në një marrëveshje historike. Firmosës i Rambujesë dhe i pavarësisë, presidenti i Kosovës besonte te tripleta e jetës (si Bayerni i Mynihut).

Europa, në anë tjetër, ka treguar se është një nxënëse e ngathët e Amerikës. U mundua ta pengonte marrëveshjen, por arriti vetëm ta vononte. Një prej pikave të saj është posaçërisht ‘anti-europiane’, zhvendosja e Ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jeruzalem. Qarqet pro-palestineze ndër elitat europiane janë rrëqethur pasditen e së premtes me ftohtësinë me të cilën Trump ka inkorporuar dy konflikte botërore pa lidhje të dukshme me njëri-tjetrin.

Paradoksalisht, apo ndoshta aspak kështu, edhe pse e arritur nga politikanë kryesisht konservatorë, marrëveshja e 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë është një dalje nga iliberalizmi dhe kthimi në liberalizëm.

Kur një dhuratë të tillë e bën Donald Trump ngjan e çuditshme, por duhet marrë sepse mund të jetë e fundit. Në instancë finale, marrëveshja është një autostradë drejt paqes, sepse aty ceken të gjitha ‘sëmbimet’ e palëve, që nga manastiret, të zhdukurit e luftës, prosperiteti ekonomik, tregtia e lire, e me radhë.

Njohje të dyanshme nuk ka patur, por me anë të kësaj marrëveshjeje të gjerë dhe të detajuar palët kanë pranuar premisat e njohjes.

Në fund të fundit as Uashingtoni nuk mund ta ndërtojë Romën në një ditë. Aq më pak Prishtinën dhe Beogradin.

Të fundit