Masakra e Reçakut në Kosovë përkujtohet nga diplomatët ndërkombëtarë

Masakra e Reçakut e ndodhur 21 vite më parë u përkujtua nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në një deklaratë të përbashkët, institucionet kujtojnë se masakra që ndodhi në Reçak, çoi në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet që qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, në një postim në rrjetet sociale përkujtoi masakrën e Reçakut.

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të dokumentuara na kujtojnë rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe ripajtimit”, shkroi ajo.

Më 15 janarin e vitit 1999, në mëngjes, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre.

Të nesërmen, ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Ëilliam Ëalker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Pas masakrës së Reçakut në vitin 1999, nisi angazhimi diplomatik për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.