Masat/ 800 policë në terren për të ruajtur sigurinë, shëndetësia në gatishmëri

Policia e Shtetit është e angazhuar që të ruajë rendin në vend dhe po mbështet grupet e inspektimit, të cilat po prishin objektet që rrezikojnë. Në terren janë mbi 800 punonjës policie, të cilët gjithashtu kanë për detyrë që të ruajnë pallatet që kanë rrezik të lartë për banorët, të sigurojnë qendrat e akomodimit në hotele, të sigurojnë qendrat e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave, mbështetjen e grupeve të verifikimit në terren, ruajtjen e rendit dhe parandalimin e çdo ngjarje që cënon liritë, pronën dhe jetën qytetarëve.

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda informoi se shërbimi shëndetësor, është i përqendruar në qendrat 24-orëshe afër zonave të prekura dhe në hotelet ku janë banorët.

“Deri më tani janë kryer 1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotelet, ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit.

Gjithashtu, 376 të sëmurë kronikë të evidentuar në hotele kanë marrë trajtimin e nevojshëm.

1500 fëmijë po marrin shërbim psiko-social, ndërsa 300 psikologë dhe punonjës sociale po japin trajtim psikosocial”, informoi ajo.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka angazhuar në total 80 inspektorë, duke monitoruar rreth 60 vendgrumbullime të produkteve ushqimore të cilët kanë kryer rreth 240 inspektime.