Flash News

OP-ED

Mashtruesit e Politikës

Mashtruesit e Politikës

Erion Piciri*

Për të lënë mbresa te popujt, prijësit i japin vetes tituj, grada dhe merita që nuk u takojnë, fabrikojnë të shkuarën e tyre, pretendojnë se kanë qenë pjesë aktive e ngjarjeve historike dhe hiqen si gjenialitete me kulturë dhe formim dijetarësh me përmasa globale.

Ferdinand Marcos-i sajoi aktivitetin heroik në Luftën e Dytë Botërore dhe mori shumë medalje, për një veprimtari modeste apo të paqenë, siç thonë dokumentat e mëvonshme amerikane. Kjo i hapi rrugën e pushtetit që e përdori për të instaluar një diktaturë kleptokrate.

Enver Hoxha, nga një student mbetës që në vit të parë të shkollës, u vetgradua në dy vjet luftë si gjeneral-kolonel dhe instaloi një diktaturë ku ai hiqej si 'fanar ndriçues i revolucionit komunist botëror'.

Idi Amin nga toger në ushtrinë britanike u vetdekorua si marshall terreni dhe instaloi një diktaturë kriminale ku gjetën vdekjen mbi 300 mijë bashkëqytetarë.

Bashkëdrejtuesja e diktaturës komuniste rumune Elena Ceausescu, nga një mbetëse në shkollë fillore, u ngjit (kur i shoqi mori pushtetin) në nivelin e akademikes dhe shkencëtares me rezonancë globale.

Shembujt mund të vijojnë me dhjetra syresh, sa larg dhe afër nesh. Kohët ndryshojnë, marifeti mbetet. Jetojmë epokën e fotografisë dhe rrjeteve sociale, ku prijësit lokalë priren të dalin në ballë. Vërtiten nëpër takime ndërkombëtare të kapin ndonjë foto me personalitete, për t'i shitur si vlerësime globale në provincat e tyre të kapura.

Asocimi me simbole, heroizma, rangje të larta ushtarake dhe titujsh e nderesh, sikurse foto me liderë të fuqishëm të botës janë pjesë e spekullimit për të shitur më lehtë retorikat patriotike, për të imponuar vullnetin e tyre që në shumë raste ka qenë shkatërrimtar për popujt. Ambicia e shfrenuar për të ushtruar punë e pushtete tē pamerituara, për tu dukur më brilant se rezultatet e munguara, krijon drama për popujt e sunduar.

Për këtë manipuluesit duhen pikasur në kohë dhe refuzuar. Në politikë është e vështirë të dallohen mashtruesit, sidomos kur kanë kapur mediat dhe dominojnë me informacion e domethënie hapësirën publike, por popujt duhet ta evidentojnë edhe vetë realitetin pērtej propagandës së pushtetit.

Nuk ka foto protokollare që mund të fshehë qeverisjen e dështuar të një vendi europian si Shqipëria, që e kanë katandisur me parametra të ngjashme me vendet e dështuara të Afrikës, Amerikës Latine apo Oqeanisë, e renditur nga Transparency International si një ndër tre më të korruptuarit e Europës, si një ndër 10 vendet pjesërisht të lira sipas Freedom House, vendi i 100 për GDP per capita sipas IMF-së,vendi i 102 për të ardhurat për frymë, vendi 112 për lumturinë e qytetarëve, vendi i katërt në botë, me 60% të popullsisë me dëshirën për të emigruar sipas Gallup-it, vendi i parë për emigrim real për frymë në vendet e BE-së sipas Eurostat-it, me një braktisje në rritje të rinisë dhe profesionistëve më të mirë.

Profilin e dështimit nuk mund ta fshehë asnjë pozë manipulimi. Testi kryesor ku mbesin në klasë të gjithë dështakët e politikës është rezultati, niveli i zhvillimit dhe standardet e jetës. Kur mungojnë, prijësit duhet të kenë dinjitetin të largohen. Interpretimet artistike nuk janë pjesë e performancës qeverisëse. Jo çdo njeri që përbetohet për atdhe është i vërtetë dhe i dobishëm për të.

Të hiqesh dhe të jesh, të flasësh dhe të besh janë gjëra të ndryshme, me raste në kahe tërësisht të kundërta. Këtë e vërtetojnë çdo ditë mashtruesit e politikës.

*Autori është deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Të fundit