Flash News

OP-ED

Mathew Palmer, që u pa në Tiranë si Shën Mateu dhe Palma de Majorka  

Mathew Palmer, që u pa në Tiranë si Shën Mateu dhe Palma de

Alfred Lela

Kredoja e Politiko.al është 'lajmet janë të vjetra, e re është çfarë fshihet pas tyre'. Prej këtij këndi u munduam t'a shohim dje vizitën e Mathew Palmer, zv. nën sekretarit të Shtetit në Tiranë dhe takimet e tij me kryeministrin, shefin e opozitës, presidentin e Republikës dhe kryetaren e LSI.

Politiko e pat raportuar e para vizitën e z. Palmer, nën lajtmotivin e 'shkesit' apo 'negociatorit' të krizës. Sigurisht, media kërkon të mveshë me ekskluzivitet, por edhe mistikë, lajmin politik, sidomos kur ky ka të bëjë me amerikanët dhe 'trysninë' e tyre në teatrin politik të Tiranës. Një ditë para vizitës 'burime diplomatike' folën për Zërin e Amerikës dhe 'e përgënjeshtruan' Politiko-n, duke thënë se 'z. Palmer nuk vinte për të zgjidhur krizën", por në një tur të parashikuar që në shkurt.

Kjo fare mirë mund të jetë e vërtetë dhe e padiskutueshme, por fakti që 'bileta' e z. Palmer për në Tiranë ka qenë e prerë që në shkurt, nuk do të thotë se, një diplomat i rangut të tij do të vijë në Tiranë dhe të flasë për kontekstin e shkurtit duke lënë jashtë gjithë ujin që ka rrjedhur poshtë urës politike gjatë shkurtit, marsit dhe fillimprillit. Do të ishte, në rastin më të keq, amatorizëm që, Departementi i Shtetit nuk e ka zakon të ushtrojë.

Pyetja legjitime është se, pse atëherë Palmer dhe ambasada amerikane, kërkojnë ta 'fshehin' interesin e tyre për krizën duke e paraqitur si mosinteres? E thjeshtë: trupat politike që dalin nga sistemi, shpërfillen dhe trysnohen nga amerikanët. Atyre u krijohet një bojkot publik, ndërsa negociatat vazhdojnë nëpërmjet kanalesh të dyta apo të treta. Amerikanët, në të gjitha rastet, kanë dashur t'i fusin apo rifusin në sistem trupat politike që kanë qenë jashtë, apo kanë dalë prej tij. Filloje që nga IRA, OÇP dhe deri te UÇK, të cilat kanë qenë lëvizje politike fillimisht, të shndërruara në militare, duke e kërkuar atje zgjidhjen politike si pasojë e margjinalizimit dhe dëshpërimit.

Partitë e opozitës kanë dalë nga sistemi politik dhe janë shndërruar në 'lëvizje', duke kryer kështu të kundërtën e organizatave të cekura më lart, që janë krijuar si trysni e sistemit ndaj grupeve të margjinalizuara. PD dhe Opozita e Bashkuar kanë dalë prej sistemit pikërisht për t'i shpëtuar margjinalizimit permanent, duke e kuptuar se, sa më i gjatë qëndrimi në të aq më shumë u shtohej margjinalizimi dhe u rrezikohej mbijetesa politike.

Opozitës, megjithatë, për imazhin e aksionit të vet, i mjafton edhe fjalia mohuese e z. Palmer "nuk kam ardhur këtu për të negociuar për krizën". Zyrtari i lartë amerikan pohon atë që opozita do të dëgjojë, dhe mazhoranca betohet se nuk ekziston: në Shqipëri ka krizë.

Reagimi i z. Flekenstein që tha sot në Tiranë se, është i lumtur që Palmer mbajti të njëjtin qëndrim me BE, është 'rrahje shpatullash vetes'. Fakti që Palmer pranon se ka krizë, duke thënë se nuk ka ardhur për ta zgjidhur, është sinjal për BE-në që duhet përkthyer: është kriza juaj.

Vizita dhe predispozita e Palmer është një shenjë e mirë, pikërisht për deklaratën se 'nuk kam ardhur për krizën". Krizat e kanë zakon që shkojnë tek amerikanët, edhe kur ata nuk shkojnë te krizat. Ka ndodhur kështu gjithmonë. Fakti se Amerika ia ka dorëzuar BE-së 'çelësat' e Ballkanit perëndimor nuk ka ndryshuar asgjë në këtë.

Kjo mund të shquhet edhe te mënyra me të cilën e panë palët politike z. Palmer dhe vizitën e tij. Opozita e shihte si shfaqje në viset ilirike të Shën Mateut i cili, me siguri, kishte një shpresë apo shelbim për të dhënë për rraskapitjet e saj.

Në anën tjetër, sidomos pas vizitës dhe deklaratave se 'qeveria është legjitime', mazhoranca e pa zyrtarin e lartë amerikan si të ishte një destinacion turistik, i lakmuar dhe ekzotik, Palma de Majorka, për shembull. U duk se shumica 'mori pushimet' pas atyre deklaratave, nën (keq)kuptimin se, gjithçka këtu shkon fjollë, e thanë amerikanët, jemi legjitimë, o-burrani drejt babëzisë tjetër, opozita e hëngri etj.

Nëse shumica e Ramës e sheh Mathew Palmerin si 'Palma de Majorka', së shpejti do të ketë nevojë për Shën Mateun.

Të fundit