Flash News

OP-ED

Mbi 'Buburrecat', 'Shushunjat' dhe gjithë 'Faunën' e Politikës sonë

Mbi 'Buburrecat', 'Shushunjat' dhe gjithë

Igli Tola

Vera bitisi, pushimet mbetën kujtime të bukura në mendjet ose Instagram-et e secilit prej nesh. Shtatori politik nisi me marsh të ulët, pak si me 'përtesë' pas gati 2 muajve pauzë për tu 'shulluar' në diell. Ama nuk u dush shumë kohë  dhe 'sesioni politik' (nuk mund të prononcohemi mbi sesionin parlamentar, pasi falë 'prurjeve' të fundit ky institucion është zhvlerësuar plotësisht në sytë e publikut) hyri në ritëm e ia nisi 'avazit' të vjetër.

'Sipari' i shfaqjes së rradhës "2019-2020" u çel pa humbur kohë. Gjithçka dukej siç e kishim lënë: të njëjtët aktorë, skenografi e mizanskena. E në këto rrethana ku shfaqja e re dukej monotone, një vazhdim i sforcuar i së vjetrës (si nëpër telenovelat indiane apo turke), u gjet një 'deux ex machina' (ndërhyrje nga jashtë) për të ringjallur kërshërinë dhe interaktivitetin e masës.

Ky mision iu besua një përfaqësuesi të kandrrave, Buburrecit. Me trup të vogël, pjesë e grupit të këmbënyjëtuarve, i papërfillshëm në dukje, por që shpesh bën kërdinë në të mbjellat e fshatarëve kur bujqit neglizhojnë t’i plehrojnë dhe spërkasin bimët e kultivuara. 

“Gjen shesh pa bën përshesh Buburreci”, mund ta përmbledhim me një aforizëm popullor. 

Nëse do të ishim në një rend normal, duhej të merreshim me shkakun se përse situata është 'lesh e li' dhe mos mjaftoheshim me konstatimin e faktit. Pa gjetur zanafillën e problemit, bërtitja publike e simptomave nuk jep zgjidhje në mbylljen e plagës së '(mos)funksionimit' e aparatit shtetëror. Shkarkimi i një, dy, apo qoftë edhe 100 drejtorave (Buburrecave) nuk ka se për të sjellë asnjë ndryshim pozitiv. 

Buburrecat e kanë në 'gen' të shkatërrojnë dhe përvetësojnë (marrin) çfarë u del përpara, kur terreni është i lirë dhe mungon vigjilenca (kemi parasysh “Gjen shesh pa bën përshesh Buburreci”). Pra, ngado ta shohim tablonë, është e qartë që përgjegjësia i takon 'Bujkut'. E 'Bujku' në kontekstin shtetëror, është veçse personi që u zotua dhe u votbesua të kujdeset për kopshtin (arën) shqiptare për ta bërë atë më të zhvilluar dhe të begatë. Nuk votoi njeri për asnjë nga 'Buburrecat' që u shkarkua, apo që do të shkarkohen. Këto 'Buburreca' u sollën nga 'Bujku' aktual, nuk i gjeti në mesin tonë; ndaj së paku i takon të përballet me 'dëmet' katastrofale që kanë shkaktuar dhe jo t’i anashkalojë.

. . . 

'Buburrecat' nuk ishin risi në thelb, vetëm në formë. 

Më herët, në zgjedhjet e fundit për pushtetin qëndror u zbulua ekzistencave e 'Shushunjave'. Një krimb i fragmentuar që i përket familjes së Unazorëve, që ushqehen me gjakun e bujtësit (presë). Të tilla u cilësuan ish-aleatët e koalicionit qeverisës, me arsyetimin se kishin thithur 'gjak' nga trupi i shëndoshë i partisë-lider. Gjak që ishte kapilarizuar në organet e këtyre 'Shushunjëzave' që asokohe të stërfryra, shiheshin si kërcënim evident.

Evoluimi nga 'Shushunja' te 'Buburreci' u shoqërua nga veprimet e ndërmarra si 'reflektim' pas protestës masive të studentëve. Po të kujtohemi, më shumë se gjysma e kabinetit qeveritar u shkarkua menjëherë. Një veprim i pritshëm, vetëm se nuk u shoqërua me etiketimin e tyre me ndonjë përfaqësues nga fauna. 

Të tre këto raste, si dhe shumë të tjera kanë edhe një të përbashkët tjetër. Të nesërmen, pra në ditët 'post-Shushunja', 'post-Ministra kurban', 'post-Buburreca' jeta e shqiptarëve nuk se ka parë ndonjë lulëzim, as përmirësim të qeverisjes, as 'boom' ekonomik, as … Madje për më tepër, po të nisemi nga logjika "Një bie, njëmijë ngrihen" situata ka agravuar më keq, sepse edhe 'përfaqësuesi më i pagdhendur i kësaj Faune' e ka kuptuar se nuk synohet luftë frontale kundër fenomenit të korrupsionit apo mitmarrjes, por vetëm bërja 'show' me ndëshkimin e 'gjallesave' që ngecin në 'rrjetën' e skandaleve, për t'ua 'faturuar' gjithë dëmin. Kështu, ata vazhdojnë pandërprerë 'aktivitetin' e tyre, duke u lutur mos tu ngeci 'derri maç' në dorë. 

. . . 

Teknika e pasimit të 'minës me sahat' te zinxhiri më i ulët i komandës, duke e përjashtuar veten nga përgjegjësia ka rezultuar e suksesshme këto 6 vite. Në këto kushte, një votues mesatar do të thoshte se përsa kohë nuk i ka hyrë 'gjemb në këmbë', le të vazhdojë udhën e nisur. Por, duke mos mbetur vetëm në sipërfaqe të çështjes, teoria politike e gërshetuar me historinë botërore na ka mësuar se pasi kalohet caku, nevojitet qoftë edhe një 'grimë' për të shembur gjithçka të ngritur me aq kujdes ndër vite.

Sidomos, në një qetësinë gati 'mortore' që ka kapluar 'habitatin politik' këto ditët e fundit, nuk duhet të habitemi nga ndonjë 'stuhi' gjithë-planëshe.

E që 'lisi' madhështor që është kolonizuar nga 'Buburrecat' mos të bie i pari nga vala e 'stuhisë' për të zënë nën të çfarë i gjendet para, duhet të fillohet duke artikuluar dhe u vënë në pozita pune, për të marrë në ngarkim jo vetëm emërimin e ministrave apo 'Buburrecave', por edhe pasojat e veprimve dhe mosveprimeve të tyre. Kjo bëhet duke ia vetë-faturuar (siç proçedohet në Fiskalitet, me "Reverse Charge" e TVSH-së) Nënës gjithë vleftën e realizuar nga Bijat (Buburrecat).

Kështu, arrihet të kuptohet se jo çdo qënie tjetër që të rrethon kur je në 'zenitin' e pushtetit është në rastin më të mirë 'Buburrec', e më të keqin 'Milingonë'. Nqs arrihet ky vetdijësim, hapat e mëpastajshëm drejt 'de-Buburrecëzimit' do të jenë më të lehtë.

Të fundit