Flash News

OP-ED

Mbi rolin e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi

Mbi rolin e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi

Altin Gjeta*

Rikthimi i vëmendjes së politikës së lartë amerikane në rajonin e Ballkanit Perendimor pas pothuajse një dekade delegimi të çështjeve të mbetura pezull partnerëve të tyre europian në Bruksel ka ngjallur interes dhe debate të shumta mes njohësve të rajonit, politikbërësve dhe publikut të gjerë. Veçanërisht, ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe energjike e administratës Trump në rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd ka tërhequr kritika të shumta për mënyrën sesi i dërguari special i presidentit, ambasadori Grenell, i është qasur dialogut. Po ashtu, nxjerrja nga sirtarët e thellë të idesë së ndarjes së Kosovës, si dhe qëndrimet e paqarta të segmenteve të caktuara në Uashington kundrejt saj, kanë shkaktuar valë paniku në Berlin dhe rajon mbi rrezikun e rikthimit e fantazmave të së shkuarës, nacionalizmit, dhe efektit domino që kjo mund të sjellë në raste të tjera të ngjashme në Bosnjë apo Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa na ndajnë pak ditë nga rinisja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me të drejtë e gjithë vëmendja e komentatorëve dhe publikut është përqëndruar te termat e diskutimeve dhe produkti që ata do të prodhojnë. Por, në një kohë kur ka mungesë transparence mbi pika konkrete të bisedimeve, gjykoj se për të hedhur sadopak dritë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare dhe përmbajtjen e saj, do të na duhet të kuptojmë arsyet e anagazhmit të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut në një kontekst më të gjerë dhe larg qëndrimeve partizane.

Nuk është hera e parë që SHBA-të udhëheqin proceset e vështira paqtuese në Ballkan. Pa rolin parësor të SHBA-ve në procesin e ndërtimit të paqes në rajon në vitet ‘90-të, e cila kulminoi me ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, spiralja dhe epilogu i luftrave në ish-Jogusllavi do ishte përmbyllur në një katastrofë njerëzore. Megjithëse luftrat në ish-Jugosllavi përbënin rrezik real për paqen në Europë, BE tregoi mungesë reagimi dhe qartësi veprimi ndaj krizës. Prandaj, SHBA-të udhëhoqën bisedimet në Rambuje dhe Vjenë. Pas shpalljes së pavarësisë, SHBA ia deleguan përmbylljen e shtetësisë së Kosovës BE-së.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia filluan dialogun për normalizmin e marrdhënieve. Por ky proces rrezultoi të ishte një rrugë pa krye dhe plot pengesa. Për rreth shtatë vite rresht BE dështoi të pajtonte palët dhe të arrinte një marrëveshje finale. Përkundrazi, marrëveshjet e Brukselit kanë rezultuar kundërproduktive. Termat e këtyre marrëveshjeve janë plot ambiguitete dhe për rrjedhojë shumë prej pikave të tyre kanë mbetur të pazbatueshme në terren. Krijimi i Asosacionit të Komunave me shumicë serbe vetëm sa e ka përkeqësuar klimën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Së pari, Asosacioni rrëzoi multietnicitetin, parimin themelor të Pakos Ahtisaari mbi të cilin është ndërtuar Kosova e pavarur. Asosacioni e thelloi edhe më tej ndarjen etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë duke e shndërruar këtë të fundit nga një shtet multietnik në një shtet dy etnish. Së dyti, Asosacioni godiste thellë karakterin unitar të shtetit të Kosovës pasi mbillte farën e një Republika Srpska në veri të Kosovës. Të gjithë këta elementë e bënë Asosacionin të padëshirueshëm në Kosovë.

Nga ana tjetër, paaftësia e Brukselit për të unifikuar të gjithë shtetet antare në njohjen e Kosovës, liberalizmin e vizave dhe ndaljen e fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombetare e futi dialogun në kolaps.

Në një moment të tillë boshllëku dhe paqartësie, duket se SHBA-të kanë parë rrezikun e rrëshqitjes së rajonit në tensione të reja dhe nën ndikimin e mëtejshëm të Rusisë dhe Kinës. Kosova përbën investimin e tyre më të madh në rajon dhe mundësia e kthimit të saj në një vrimë të zezë dhe të paqeverisshme do të përbëntë dështim për politikën amerikane. Prandaj, ngecja e dialogut dhe dështimi i BE-së për ta çuar përpara krijoi jo vetëm vakum pushteti dhe lidershipi, por hapi edhe një dritare mundësie për të përmbyllur një çështje të mbetur pezull në rajon.

Misionet ndërkombëtare në vendet që dalin nga konflikte të përgjakshme si Kosova kalojnë nëpër disa etapa. SHBA-të i kanë udhëhequr të gjithë këto faza, që nga ndërhyrra humanitare, vendosja e paqes, procesi i shtet-ndërtimit, i cili kulmoi me shpalljen e pavarsisë së mbikqyrur të Kosovë. Pas një periudhe kaq të gjatë angazhimi, mendoj se SHBA kanë ndërtuar një exit strategy (strategji daljeje) nga Kosova dhe rajoni, në kuptimin që ata duan ta rrumbullakosin njëherë e mirë shtetësinë e Kosovës dhe njëkohësisht të akomodojnë Serbinë në gjirin e shteteve pro-perëndimore. Kjo strategji përputhet edhe me vizionin e presidentit Trump për një Amerikë më izolacioniste (inward looking) në arenën ndërkombëtare. Argumenti se ambasadori Grenell kërkon një marrëveshje të shpejtë për të siguruar një fitore diplomatike për presidentin Trump, në prag të zgjedhjeve të nëntorit, duket pa shumë baza logjike. Ka shumë pak gjasa që fitorja apo jo e presidentit Trump të ndikohet nga kjo, kur shumë amerikanë nuk mund të tregojnë as vendodhjen e Kosovës dhe Serbisë në hartë.

Në një kohë kur raportet e fuqisë në arenën ndërkombëtare po ndryshojnë bashkë me paradigmën  intervencioniste liberale në zonat e konfliktit dhe post-konflitit, SHBA synojnë që në Kosovë dhe rajon të përmbyllin një nga misionet më jetëgjatë dhe të suksesshëm në historinë e post-Luftës së Ftohtë.

*Chevening Fellow-Postgrad in International Relations and Democratic Politics, University of Westminster, London

Të fundit