Flash News

OP-ED

Mbi zgjedhjet në Mal të Zi; ndikimet e jashtme, klero-nacionalizmi dhe 'ndërrimi i grupit të gjakut'

Mbi zgjedhjet në Mal të Zi; ndikimet e jashtme, klero-nacionalizmi dhe

Aleksandër Sekuloviç

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut- Serbi

Në teoritë politike ekziston mendimi i pranuar gjerësisht se zëvendësimi i partive në pushtet, pra alternimi, përbën vetë thelbin e demokracisë parlamentare, dhe, nëse ndodh që transferimi i pushtetit kryhet me qetësi dhe pa probleme serioze, atëherë kjo është shenjë se demokracia parlamentare është plotësisht e afirmuar. Kushti bazë që alternimi të kryhet si një akt standard dhe normal është që aktorët politikë të bien dakord për postulatet themelore të shoqërisë që përmblidhet në frazën: zëvendësimi i pushtetit të mos ketë karakter përmbysje.

Nisur nga këto parime mund të thuhet se zgjedhjet e paradokohëshme në Mal të Zi përbëjnë një ngjarje politike pozitive. Para të gjithave, pjesëmarrja e madhe e zgjedhësve dhe votimi, i cili rrodhi me qetësi dhe pa incidente, tregojnë se Mali i Zi, pikërisht gjatë kohës së qeverisjes së Partisë demokratike të socialistëve (PDS) dhe Gjukanoviçit, ka ecur larg në rrugën për arritjen e pjekurisë demokratike.

Efekti tejet pozitiv i këtyre zgjedhjeve qëndron në atë se parullat kryesore të opozitës kundër pushtetit ishin, në pjesën e tyre më të madhe konstruksione propagandistike. Kujtojmë se teza kryesore e Frontit demokratik (FD), e demokratëve dhe e koalicionit URA, ishin se zgjedhjet e para katër viteve nuk kanë qënë të lira, se kanë pas qenë të pandershme dhe se PDS ka fasifikuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve,  gjë për të cilën këto dy të fundit (demokratët dhe URA) nuk patën marrë pjesë në punimet e parlamentit. Tani, kur opozita fitoi në zgjedhje, askush nga opozita nuk tha asnjë fjalë se gjoja PDS falsifikoi zgjedhjet, megjithëse edhe këto zgjedhje u mbajtën nën të njëjtët kushte dhe në të njëjtën mënyrë si ato paraardhëset. Po kështu qëndron puna edhe me “diktaturën” për “shtetin privat” të Gjukanoviçit, për pushtetin totalitar të PDS dhe për floskula të tilla. Sepse me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë na qenka kjo “diktaturë” që na organizoka zgjedhje të lira dhe demokratike dhe çfarë na qenka ky “diktator” që njeh menjëherë fitoren e opozitës dhe garanton dorëzimin paqësor të pushtetit?

Sigurisht, alternimi i pushtetit është pozitiv si për opozitën që fiton shansin për të marrë vesh se çfarë do të thotë përgjegjësia politike dhe shoqërore, po ashtu edhe për partinë në pushtet dhe që i duhet të kalojë në opozitë, veçanërisht nëse ajo mbështetet vetëm te popullariteti i liderit të saj.

Këto konstatime parimore mbi ndryshimin e partive në pushtet kanë rëndësi vetëm atëherë kur alternimi është rezultat i ecurive normale zhvillimore të një shoqërie të caktuar, ose më mirë të themi kur nuk nxitet dhe realizohet nën ndikimin e faktorit të jashtëm. Eksperienca ka treguar se të gjitha alternimet e imponuara nga jashtë, përveç që janë shumë dramatike, shktërrojnë qelizën e shoqërisë dhe sjellin me vete dekadencë shumëdekadëshe në këndvështrimin politik, ekonomik dhe civilizues. Nisur nga kjo pikëpamje mund të thuhet se alternimi në Mal të Zi nuk është rezultat i zhvillimit autentik shoqëror, se është imponuar dhe se në të kanë ndikuar ndjeshëm dhe në mënyrë vcendimtare faktorë të jashtëm, dhe për pasojë ata përbëjnë një fakt negativ që mund të ketë efekte të ndryshme dhe të dëmshme.

Faktori i jashtëm më me rëndësi që ka ndikuar në këto zgjedhje ka qenë Kisha Ortodokse serbe (KOS). Ajo ka ndikuar në atë masë në përcaktimin zgjedhor të zgjedhësve saqë disa komentatorë e përcaktojnë rezultatin zgjedhor si fitore të Mitropolitit Amfilohije dhe KOS-it. Një angazhim në këtë masë të kishës përbën një risi të madhe në praktikën parlamentare, megjithëse është e saktë se të gjitha kishat këmbëngulin të sendërtojnë njëfarë ndikimi në politikë, në mënyrë të veçantë nëpërmjet partive demokristiane. Megjithatë, në ndryshim nga partitë demokristiane në Europën Pedrëndimore, të cilat janë politikisht të pavarura dhe përcaktojnë në mënyrë të  pavarur politikën e tyre, duke u nisur nga vlerat etike të krishtera, në Mal të Zi koalicioni partiak “Për të ardhmen e Malit të Zi” u krijua dhe u udhëhoq nga kisha për të realizuar interesat e saj tokësore ekonomike dhe politike. Është fjala pra për një organizatë klerikale, për një institucion identik me organizatat e ngjashme kishtare, siç janë shkollat, fakultetet, organizatat bamirëse, organizatën turistike Mirëbërëse, radio Mali i Zi etj. Mbi hierarkinë e rreptë të nënshtrimit të këtij koalicioni ndaj Kishës flet bindshëm edhe fotografia në të cilën shihet udhëheqësi i këtij koalicioni Zdravko Krivokapiç, që është profesor universiteti me moshë 60 vjeç, teksa përkulet me përunjësi dhe i puth dorën një prifti të ri që ndoshta nuk është as 30 vjeç. Ndërsa deklarata e tij e parë pas zgjedhjeve, në të cilën tha se është i humbur kushdo që “është kundër Zotit dhe Shën Vasilit të Ostroshkit”, si dhe shkuarja e tij për të referuar te Amfilohija, përbëjnë një shembull fanatizmi religjoz që nuk ka shoq në jetën politike moderne.

Faktori tjetër i jashtëm që kontribuoi në alternimin në Mal të Zi është edhe ndërhyrja direkte e organeve zyrtare të Republikës së Serbisë, mbi të gjitha ato financiare, por edhe politike, ekonomike dhe kulturore. Serbia ka investuar disa milionë euro në organizimin politik të opozitës, në tërheqjen e votuesve të pavendosur dhe në inxhinjeringun etnik. Ndërsa deklaratat e zyrtarëve më të lartë të Serbisë, shumë shpesh me tone kërcënuese, krijuan një atmosferë frike në Mal të Zi madje dhe shqetësim se çfarë do të ndodhë nese opozita do të fitonte. Kur merren parasysh të gjitha këto, atëherë deklarata e kryeministres Ana Brnabiç se Serbia nuk është përzier aspak në procesin zgjedhor në Mal të Zi përbën cinizëm të rendit të lartë që ka kohë që nuk është parë në politikë.

Veprimtaria e bashkuar dhe energjike e KOS-it dhe e kreutt shtetëror të Serbisë arriti të deformojë plotësisht kuptimin e përcaktimit zgjedhor tëe qytetarëve në Malit të Zi. Në vend të votimit për çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike, zgjedhjet u shndërruan një një përcaktim referendar mbi përkatësinë etnike dhe religjoze kështuqë fitorja e opozitës mund të interpretohet plotësisht si kundërshtim i identitetit shtetëror dhe etnik të Malit të Zi. Fakti që tre koalicionet fituese kanë nënshkruar një marrëveshje se nuk do ta ndryshojnë politikën e jashtme, simbolet shtetërore dhe marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, gjëra që kanë qenë halë në sy për tri partitë kryesore opozitare të FD, nuk është rezultat i angazhimit të tyre të sinqertë për këto vlera, por i rregullimit paraprak të Vuçiçit dhe opozitës malazeze me ambasadat perëndimore në Podgoricë dhe me përfaqësuesit e BE-së të angazhuar me Ballkanin Perëndimor.

Në këtë “sipërmarrje të bashkuar” kundër Malit të Zi mori pjesë tërë korpusi nacional serb nga Serbia, Bosnja dhe Kosova, duke përbërë kështu faktorin e tretë negativ të ndikimit të jashtëm. Vendin e parë në këtë fushatë e zunë tabloidet beogradase, elektronike dhe të shtypura, si dhe rrjetet shoqërore, që bënë një luftë totale mediatike duke shpërndarë me bollëk lajme të gënjeshtërta, konstruksione të flasifikuara, fotografi të montuara dhe manipulime të tjera të paskrupullta të çdo lloji (“Gjukanoviçi përgatit masakër kundër serbëve në Mal të Zi”, “Gjukanoviçi i bën thirrje mafies për të vrarë Vuçiçin” etj). Presioni i tyre ishte kaq i fortë saqë kësaj propagande, në fund të fushatës, i’u nënshtruan edhe disa media të pavarura siç janë gazeta “Danas” dhe TV N1. Megjithatë tabloidët dhe rrjetet shoqërore ishin vetëm “koka e dashit” pas të cilave qëndronin hordhi të tëra huliganësh ekstremistë të tipit “Obraz” (Nderi), “Zavetnici” (Të përbetuarit), Jeniçerët etj, pothuajse të gjithë partitë e opozitës serbe dhe intektualët klero-nacionalistë si puna e historianit Rakoviç i cili në ditën e zgjedhjeve publikoi në gazetën “Politika” “informacionin” se Millo Gjukanoviç do të kryejë grusht shteti.

Ajo që përbën befasinë më negative në këtë rast është fakti se shumë intelektualë të pavarur, qytetarë madje edhe të orientimit liberal në Serbi, heshtën në mënyrë bashkëpunuese ndaj kësaj propagande të ndyrë, madje edhe i dhanë asaj kontribut “teorik”. Një pjesë e tyre u gënjye nga historia e Frontit demokratik mbi kriminalitetin dhe korrupsionin në Mal të Zi, një pjesë tjetër u argëtua në shinat e antikomunizmit të tyre disident dhe dëshironte në rrëzohej “diktatori i fundit komunist”, ndërsa një pjesë tjetër mendonte se është momenti i fundit që në Mal të Zi të kryhet alternimi i pushtetit, qoftë edhe duke përdorur mjete të pandershme. Natyrisht këtu kishte edhe diletantizëm naiv siç ishte rasti i profesorit Ognjen Radonjiç, i cili pohoi se Serbia është përzier në këto zgjedhje, por në favor të nomenklaturës në pushtet.

Ky shtrembërim në vlerësimin e momentit aktual shoqëror është pasojë e moskuptimit të nacionalizmit serbomadh, i cili, siç thoshte Sllobodan Jovanoviçi është “një traditë...., e fortë dhe e ngurtë sepse është mëkuar me shekuj të tërë”, gjë që do të thotë se është një forcë e cila, e bashkuar me ortodoksinë në klero-nacionalizëm, ka një rol hegjemon në vetëdijen kolektive dhe përcakton në mënyrë vendimtare karakterin e shoqërisë. Bëhet fjalë për moskuptimin e faktit se zgjedhjet në Mal të Zi nuk kishin të bënin me probleme të politikës ditore, por bëhej fjalë për interesa vitale për popullin serb, ashtu sikurse e kupton këtë interes klero-nacionalizmi i sëmurë, për ta kthyer Malin e Zi nën dominimin e Serbisë, tani që Kosova është e humbur.  Digë mbrojtëse kundër kësaj ambicje ishte PDS me aleatët e saj, e kësisoj, të pohosh se asaj i është ofruar mbështetje nga pushteti në Serbi do të thotë ndarje përfundimtare me logjikën elementare.

Që këto zgjedhje dhe fitorja e opozitës do të kujtohen si një njollë e madhe morale e tregon më së miri ajo që ndodhi me pakicën kombëtare kroate. Është fjala për faktin se opozita në Mal të Zi dhe të gjithë ata që bënin tifozllëk për fitoren e saj, e kishin që më përpara të qartë se ata kurrë nuk mund ta mundnin DPS-në, me një garë të ndershme dhe korrekte. Madje edhe përkundër fushatës së paparë kundër Malit të Zi, opozita mezi arriti të ketë 40 karrike deputetësh, gjë që do të thotë se nuk fitoi në zgjedhje. Për fitoren ishte e nevojshme edhe  një karrike deputeti, të cilën e kishte pakica kombëtare kroate dhe deputeti i së cilës në legjislaturën e deritanishme ishte pjesë e sigurt e koalicionit qeverisës, të shkonte në favor të opozitës. Kjo u bë duke e ndarë në dy pjesë trupin e vogël zgjedhor kroat në Mal të Zi, nga të cilat asnjëra nuk arriti të kalonte censusin dhe të merrte një deputet që i takon sipas ligjit, e kësisoj ky deputet automatikisht i kaloi opozitës. Si dhe përse ndodhi kjo, kush qëndron pas këtij manipulimi zgjedhor, kush dhe cilin financoi dhe çfarë është premtuar- të gjitha këto janë pyetje për të cilat tani për tani nuk ka përgjigje. Mbetet vetëm fakti se fitorja e opozitës është realizuar pikërisht në sajë të këtij manipulimi të pandershëm.

Përfundimisht, ndër pasojat e jashtme negative mund të numërohen edhe qëndrimi i përfaqësuesve të Bashkimit Europian që janë të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, si dhe diplomacia europiane në tërësi, e cila vështroi në heshtje tërbimin e nacionalizimit serbomadh dhe aksionet e tij për ndryshimin me dhunë të pushtetit në Mal të Zi. Mbi shkaqet e heshtjes dhe medemek neutralitetin, është e lejueshme të bëhen supozime nga më të ndryshmet, nga ai që Mali i Zi i është lënë Serbisë në këmbim të Kosovës, deri te ai që janë përdorur të gjithë mjetet për ndryshimin e pushtetit me kushtin që kursi i politikës së jashtme të mbetet i pandryshuar. Fakti që opozita ka pranuar e gatshme të ruajë arritjet kryesore të pushtetit të urryer të Gjukanoviçit, flet për atë se ky është vetëm një premtim verbal me kohëzgjatje deri në rastin e parë të përshtatshëm.

Pyetja themelore së cilës duhet t’i përgjigjen pasuesit e alternimit me çdo kusht të pushtetit është se, a mundet një klasë politike, e cila ka ardhur në pushtet me ndihmën e manipulimeve të pandershme, të jetë mbartëse e një pushteti të ndershëm demokratik dhe shoqërisht të përgjegjshëm. Duke lënë mënjanë klero-nacionalistët, për të cilët është më se e qartë se nuk mund të jenë të tillë, shtrohet pyetja: a mundet Dritan Abazoviqi i cili, plotësisht i vetëdijshëm se flet një të pavërtetë, deklaron se edhe Millo Gjukanoviçi është përgjegjës për Srebrenicën? A mundet Aleksa Beçiçi i cili, plotësisht i vetëdijshëm se po thotë një të pavërtetë, deklaron se parullën “Largohuni turq!” e kanë shkruar pasuesit e DPS-së.

Nuk është fjala këtu për teprime verbale që mund të zhduken shpejt, por bëhet fjalë këtu për “duar të pista” si ato të Sartrit, të cilat kurrsesi nuk mund të pastrohen, nëse njeriu merret me politikë; nuk është fjala këtu as për atë rrymë të sociologjisë politike e cila pohon se morali dhe politika janë dy kategori shoqërore të ndara nga të cilat secila sillet sipas kanoneve të saj; përfundimisht nuk bëhet fjalë këtu as për parullën keqndjellëse “qëllimi justifikon mjetet” sepse në këtë rast kemi të bëjmë me njerëz të gatshëm për të ndryshuar qëllimet dhe mjetet. Këtu është në mes diçka tejet më serioze. Është fjala për atë se klasa politike në Serbi, e tani edhe filiali i saj në Mal të Zi, përfaqëson degën më të keqe të shoqërisë e cila, edhe sikur të dojë, nuk mund të sillet ndryshe veçse jomoralisht. Kjo është klasë politike e cila është pjesërisht autore dhe pjesërisht ndjekëse e verbër e qëllimeve luftarake serbomëdha dhe krimeve e genocidit të  kryera për realizimin e tyre. Kjo është ajo klasë politike e cila lavdëron kriminelët e luftës dhe e cila pohon në mënyrë të paturpshme se krimet masive në Markale (treg në Sarajevë), në Tuzla, në Srebrenicë i kanë kryer ata që ishin viktima. Kjo është klasa politike e cila, në traditën e pandërprerë të nacionalizmit klerikal, ka në mendje vetëm çështje shtetërore, aspak shoqërore, së cilës i intereson vetëm zgjerimi, ose më mirë të themi sikurse është shprehur Ollga Popoviç-Obradeoviç, asaj i intereson sa është dhe kurrsesi si është dhe si do të jetë shteti i Serbisë. Kjo është, me një fjalë, klasa politike e cila, për të fituar pushtetin apo për ta mbajtur atë, do të dijë të sillet në mënyrë oportuniste, por natyra joskrupuloze e së cilës nuk ka për të ndryshuar kurrë.

Çfarë do të ndodhë më tej?

Nëse nisemi nga supozimi se ecuria e zgjedhjeve në Mal të Zi ishte pasojë e ndonjëfarë big deal-i mes Serbisë dhe Perëndimit, në të cilin rolin kryesor e kishte administrata  ekscentrike e Trampit e fiksuar nga etja për një mandat të dytë dhe për çmimin Nobel, atëherë nuk është e vështirë të parashikohet zhvillimi i matejshëm i ngjarjeve në Mal të Zi. Boshti i kësaj tregtie, të cilën të gjithë aktorët janë të gatshëm ta përgënjeshtrojnë, është që Serbia të marrë Malin e Zi, realisht, nëse jo edhe formalisht, e me këtë edhe dalje në det, me kushtin që në këmbim të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe këtë vetëm realisht dhe jo formalisht, në mënyrë që, sipas modelit të dikurshëm ukrainas, nuk do të kundërshtojë pranimin në OKB, sikurse nga ana tjetër është definuar në marrëveshjen e Uashingtonit.

Planet e mëtejshme strategjike të nacionalizmit serb me Malin e  Zi janë tërësisht të qartë dhe të dukshëm dhe ato definohen siç ka thënë Milivoj Beshlini si “ndryshim i grupit të gjakut” të shoqërisë malazeze. Realizimi i këtyre planeve të cilët nuk kanë asnjë pengesë në rrugën e tyre, sepse opozita malazeze, me premtimin e nuk do të ndryshojë politikën e jashtme të Malit të Zi ka marrë lirinë dhe miratimin e Perëndimit dhe të Bashkimit Europian që të bëjë çfarë të dojë në çështjet e brendshme. Nacionalizmi serb do të shfrytëzojë sa më shpejt këtë situatë për të vazhduar me inxhinieringun etnik në mënyrë që në rregjistrimin e ardhshëm të popullsisë numri i serbëve të bëhet më i madh se ai i malazezëve (megjithëse Vuçiçi e ka vënë në mënyrë të thjeshtë qëllimin në 30%), në mënyrë që më tej të legalizojë pretendimet territoriale të Serbisë. Mbi këtë bazë në zgjedhjet e ardhshme do të realizohet shumica absolute, e cila klero-nacionalistëve do t’u sigurojë qeverisje shumëdekadëshe.

Detyrë tjetër me rëndësi dhe urgjente është likujdimi i antifashizmit, rehabilitimi i çetnikëve dhe shndërrimi i Malit të Zi në shtet çetnik siç ështe sot edhe vetë Serbia. E ka radhën ndryshimi i emrave të  rrugëve, shkatërrimi i përmendoreve të luftëtarëve të Luftës çlirimtare popullore dhe ngritja e përmendoreve për kriminelët e luftës dhe bashkëpuntorët me pushtuesin gjatë Luftës se Dytë Botërore, si dhe kthimi në hapësirën publike të narrativave nga luftërat e viteve 90-të, mohimi i genocidit në Srebrenicë dhe ngritja lart si heronj serbë e Mlladiçit, Karaxhiçit dhe e të dënuarve tjerë të Hagës. 

Pjesë përbërëse e këtij “ndryshimi të grupit të gjakut” të shoqërisë malazeze është edhe shndërrimi i Malit të Zi në shtet teokratik. Nëse kjo do të bëhet në mënyrën që shefi religjioz do të jetë edhe kryetar shteti, apo shefi i shtetit do ta bëjë betimin para udhëheqësit fetar, kjo varet ekskluzivisht nga vendimet e KOS-it të fuqishëm ekonomikisht dhe politikisht. Ka rëndësi që për ta bërë një gjë të tillë të mos ndryshohet kushtetuta, dhe as të mos jetë nevoja për dy të tretat e votave në parlament, sepse askund nuk shkruhet se udhëheqësi fetar nuk mund të kandidojë për president të republikës, apo presidenti i republikës nuk guxon që para ose pas betimit në parlament të shkojë e të betohet edhe para udhëheqësit fetar. Gjithsesi, në Mal të Zi ekzistojnë objekte masive fetare, të ndërtuara pa leje, në lokacione atraktive dhe klerikalizim masiv i shoqërisë malazeze.

Goditjes së “serbizimit” të shoqërisë malazeze nuk do t’i shpëtojë as sistemi tërësor arsimor, në mënyrë të veçantë tekstet shkollore të historisë  dhe të gjuhës.

Përsa i përket premtimit për pandryshueshmërinë e politikës së jashtme, me të është e lehtë të luhet. Përshembull, njohja e Kosovës nuk ka përse të tërhiqet por, përfaqësia diplomatike malazeze në Prishtinë mund të reduktohet vetëm, në zyrë për çështje konsullore, ndërsa ambasadorit të Kosovës në Prishtinë t’i mbyllen dyert gjithandej dhe ngado dhe të mos e presë as kryetari i një komune. Shumë veta do të shpikin edhe incidente apo provokime të ndryshme në mënyrë që Kosova të detyrohet të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike. Për këtë, pështjellimeve momentale brenda korpusit të nacionalizmit serb nuk u duhet dhënë shumë rëndësi sepse me kohën ato do të tejkalohen.

Po e  njëjta gjë edhe me antarësimin në NATO dhe në BE. Ndoshta këtu do të luajë rol llogaritja ekonomike e nacionalistëve serbë, por nëse merret vendimi që të bojkotohet një gjë e tillë, teknika e bojkotimit do të jetë shumë e thjeshtë. Në hapësirën publike do të bëhet dominues narrativi mbi “agresionin kriminal” që NATO ka kryer kundër “nënës Serbi”, do të shumëzohen historitë patetike dhe qaravitjet me gusla, dhe atëherë kur predispozicioni kolektiv do të arrijë nivelin e duhur, do të shpallet referendumi rezultatet e të cilit mund të parashikohen lehtë. NATO dhe BE-ja do të vihen para faktit të kryer sepse ata, në përputhje me përcaktimin e tyre demokratik, nuk do të mund t’i kundërvihen “vullnetit të popullit”.

Shumë çështje të tjera shoqërore do të përjetojnë transformime radikale në kuadër të aksionit për ndryshimin e “grupit të gjakut” të shoqërisë malazeze. Përshembull, premtimi se nuk kanë për të ndryshuar simbolet shtetërore bën pjesë në rendin e “premtimeve të marinarëve”. Sepse as flamuri, as stema shtetërore dhe as hymni nuk kanë përse të ndryshohen, por kjo nuk do të thotë se ata do të përdoren publikisht. Në vend të tyre, në grumbullimet publike do të valviten flamujt serbë dhe do të ekzekutohen ndonjëfarë këngësh ceremoniale për të cilat që tani ka shumë kandidate.

Është e qartë sesi pushteti i ri do të sillet ndaj parimeve të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të drejtësisë, por nuk është e qartë nëse menjëherë, të etur për pushtet, do të bëjë kaos në radhët e tyre, apo do të lërë të kalojë njëfarë kohe që të luajë  rolin e “legalistit”. Përgjigja ndaj kësaj pyetje nuk duhet të presë shumë dhe ajo varet nga fakti se çfarë do të ndodhë me procesin gjyqësor për përpjekjen për grusht shteti në vitin 2016. 

Që ta mbyllim: Synimi i nacionalizmit serbomadh është që në Mal të Zi, duke përdorur të gjithë mjetet në dispozicion, të vendosë qeverisjen e tij absolute dhe afatgjatë dhe të kryejë “serbizimin” e plotë të kësaj “toke serbe”, ndërsa qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj do të jetë që alternimi i tanishëm i pushtetit të jetë i fundit.

Mbetet pyetje e madhe sesi do të sillet në të ardhmen ajo pjesë e shoqërisë malazeze që është besnike e Malit të Zi qytetar, të pavarur dhe antifashist. Nuk ka asnjë dyshim se nacionalizmi serb në kuadrin e ndryshimit të planizuar të strukturës demografike, nëpërmjet masave të ndryshme do të nxisë largimin e kësaj pjesë të popullsisë, duke qenë se është pjesa më e arsimuar dhe më e lëvizshme, dhe kësisoj në këtë mënyrë do të ndryshojë grupin e gjakut të shoqërisë dhe do të sendërtojë hegjemoninë e tij. Gjithçka që u kërkohet forcave suvereniste malazeze është një përgjigje e menduar mirë ndaj këtyre planeve diabolike. Në këtë kontekst është e vështirë të jepen këshilla, por më e rëndësishmja mbi të gjitha është që të mos u besojnë deklaratave verbale dhe premtimeve të nacionalizmit serbomadh sepse ai, i vetëdijshëm se propaganda më e mirë është ajo që deklaron se nuk është propagandë, do t’i fshehë me dinakëri synimet e tij dhe do të pohojë pikërisht të kundërtën e asaj që do të bëjë praktikisht.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Ditari politik

Të fundit