Mbledhja me dyer të mbyllura e Akademisë, revoltohet Fuga: E paligjshme. Nuk jam gati të tallem me shtetin shqiptar

Asambleja e Akademisë së Shkencave u mblodh ditën e sotme për tu njohur me dekretin e Presidentit Meta, i cili nuk e emëroi në krye të akademisë Skënder Gjinushin. Akademiku  Artan Fuga, në një intervistë për Syri TV ka komentuar mbledhjen e sotme, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura  dhe pa praninë e medias.

Për akademikun Fuga kjo mbledhje është e jashtëligjshme, pasi sipas tij akademia duhet të jetë transparente.

Çfarë ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura?

“S’ bëhem dot zëdhënës, por është një ngjarje e shëmtuar, me vendim personal të një njeriu i cili nuk konsulton as akademinë, por merr një vendim për  të përjashtuar gazetarët. Është një akt i shëmtuar. Akademia duhet të jetë transparente. Një vendim i marrë në mënyrë personale nga Vasil Tole,  si vendim arbitrar.”-tha Artan Fuga.

Fuga e krahason mbledhjen e akademisë me atë të plenumeve të viteve 70-të, teksa shton se mbledhja ishte fare e zakonshme për nga rëndësia, si biseda në një kafene.

“Kryetari nuk është padroni, por një mes të barabartëve. Kjo mbledhje është e paligjshme. Unë sot kam pranuar të shkoj në një mbledhje të paligjshme.  Kjo mbledhje ngjan me pleniumet e viteve 70. Nuk ka më mbledhje të jashtëzakonshme. Ne ishim aty si një biesdë në kafe. Vendimi për ta mbajur u mbajt në ditë pushimi.  Ne  u thirrëm nga këshilli ekzekutiv, por ai nuk e ka kompetencën.  20 akademikë morën pjesë për të folur që presidenti të rikonsiderojë vendimin për Gjinushin.  Unë nuk jam gati të tallem me shtetin shqiptar.”-u shpreh Fuga.

Më tej akademiku Fuga u ndal te lufta personale në mbrojtje të akademisë të Shkencave.

“Këtë ligj se ka bërë as Meta, as Rama. Ky ligj është i viteve më përpara.

Ne nuk jemi në situatë fataliste. Ngërçin e kemi krijuar vetë ne. Kryesia e akademisë të përgjigjet, jo Presidenti i Republikës. Unë nuk do resht përpjekjet e mia dhe mendoj që ligji që ka kaluar dje me një shpejtësi marramendëse në kuvend është i dështuar. Do ta fusë akademinë në një krizë akoma më të rëndë, burra e gra që do jenë në parlament.”

Nëse do ketë sërish zgjedhje në akademi, do rikandidoni?

“Për mua është puç insitucional, nëse nuk ka një ligj që e reformon unë nuk lejoj të bëhen zgjedhje. Vasil Tole të gjejë një model të një akkademie që të jetë i ndërtuar kështu. Në fillim të ndërtohet një status. Në ditët në vazhdim, do i bëj  me dije opinionit publik se ky projektligj përbën shkelje ligjore të rënda dhe cënon interesat dhe dinjitetin e trupit profesorial shqiptar.”