Mblodhi liderët e Ballkanit në Tiranë, cili ishte qëllimi dhe çfarë arriti Samiti i ‘Brdo-Brijunit’ - E SHPJEGUAR

Politiko.al

U mbyll sot në Tiranë samiti dyditor i ‘Brdo-Brijunit’, i cili mblodhi në kryeqytetin shqiptar liderët e rajonit, si dhe të ftuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti Ilir Meta, si organizator i këtij samiti, u përqëndrua gjatë fjalës së tij në tre çështje kryesore: integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE; bashkëpunimi rajonal; respekti për parimet e demokracisë liberale.

Qëllimi i Procesit të ‘Brdo-Brijunit’ është  nxitja e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetja e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. I themeluar nga Kroacia dhe Sllovenia në vitin 2010-të, në këtë forum përfaqësimi është i nivelit më të lartë shtetëror, ku pjesëmarrës janë gjithnjë presidentët e Ballkanit Perëndimor.

Pse ky emër?

Kështjella Brdo near Kranj

Brdo near Kranj është një kështjellë në Slloveni që shërben si rezidencë qeveritare për takime diplomatike dhe aty është organizuar samiti i parë i ‘Brdo-Brijunit’. Ndërsa Brijuni përfshin një grup ishujsh në Kroaci, që shërbejnë si ‘qendër ndërkombëtare konferencash’.

Në këtë proces, përveç Kroacisë dhe Sllovenisë, marrin pjesë edhe presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Në samitet që organizohen të paktën një herë në vit, ftohen edhe presidentë nga shtete të BE-së dhe institucioneve në Bruksel.

Në Tiranë ‘ulen gjakrat’

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda dhe zv/Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, ishin të ftuarit e samitit në Tiranë, ndërkohë që nga presidentët e rajonit nuk mori pjesë (për arsye objektive) vetëm Gjorge Ivanov i Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratën e përbashkët që u publikua në përfundim të samitit, theksi vendoset te rëndësia që Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë aspiratës për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që nevoja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi nuk është vendosur në asnjë rresht.

Por ndonëse nuk përmendet në deklaratën përfundimtare, ishte pikërisht çështja Kosovë-Serbi që dominoi diskutimet në samitin në Tiranë dhe kjo u konfirmua edhe në konferencën e përbashkët. Asnjë vendim nuk u mor në samit për rifillimin e dialogut, por, sipas presidentit Meta, liderët e Kosovës dhe Serbisë treguan gatishmëri që ky proces të nisë sërish.

Edhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, vlerësoi klimën pozitive me të cilën ishin diskutuar çështjet në samit.

“Jam shumë i surprizuar pozitivisht nga atmosfera që ishte në takim. Nuk po them se i zgjidhëm problemet, por i kemi trajtuar çështjet në mënyrë të hapur dhe i kemi debatuar në mënyrë shumë miqësore”, tha ai.

Liderët e rajonit u përpoqën të theksonin se ky samit në Tiranë u dominua nga fryma e bashkëpunimit, ndryshe nga sa ndodhi në samitin franko-gjerman në Berlin në fund të muajit prill, ku u raportua për një klimë të zymtë dhe të mbushur me tensione për shkak të çështjes Kosovë-Serbi.

Samiti i radhës i ‘Brdo-Brijunit’ do të zhvillohet në fund të këtij viti në Slloveni dhe ftesa për të qenë pjesëmarrës do i dërgohet edhe Antonio Guterres, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.