Mburrej për pasurinë në Instagram, FBI e arreston falë postimit që bëri në rrjetet sociale

Nigeriani i famshëm për jetën e tij luksoze  të cilën e ekspozonte në Instagram, është arrestuar nga FBI-ja, pikërisht për shkak të postimit të tij në këtë rrjet social.

Në qershor, Ramon Olorunëa Abbas, që nga ndjekësit e tij njihej si Ray Hushpuppi, u arrestua në Dubai pasi dyshohet se është pjesë e një mashtrimi kibernetik prej rreth 400 milionë dollarë.

Në Instagram ai prezantohej si një agjent imobiliar, por federalët mendojnë se pasuria e tij ka ardhur si pasojë e një skeme hakerimi, prej së cilës ka vjedhur miliona dollarë nga kompani të mëdha amerikane dhe evropiane.

Policia e Emirateve të Bashkuara Arabe e arrestoi dhe ia dorëzoi FBI-së, që e dërguan në Çikago në datën 2 korrik.

Nigeriani u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë, ndërsa policia njoftoi se ka sekuestruar 41 milionë dollarë dhe 13 makina luksoze me vlerë 6,8 milionë dollarë.

Gjithashtu, zbuluan 2 milionë adresa email të viktimave të mundshme nëpër celularë dhe kompjutera. Nëse do të shpallet fajtor, Abbas rrezikon 20 vite burgim.