Flash News

KRYESORE

Mbyllet merkato e verës, ja 10 transferimet më të bujshme

Mbyllet merkato e verës, ja 10 transferimet më të bujshme

Dje ishte dita e fundit e merkatos verore të futbollistëve, e cila këtë vit, ashtu si stina, ishte vërtetë mjaft e nxehtë.

PSG mund të cilësohet si mbreti i kësaj merkatoje, me afrimin e Kylian Mbappe dhe veçanërisht brazilianit Neymar, i cili u bë futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit, plot 222 milionë euro. Po në Francë, ekipi kampion i Monakos arriti të arkëtojë shuma jashtëzakonisht të mëdha, me shitjen e disa prej yjeve të saj.

Barcelona vendosi gjithashtu një rekord të sajin, me 148 milionë eurot e paguara për afrimin e Dembele nga Borusia Dortmund, ndërsa Real Madrid ishte protagonist i merkatos në dalje, me largimin e Morata, James, Pepe dhe Danilo.

Në Angli, dy Manchesterët dhe Chelsea, ishin mjaft aktive në merkato, ndërsa për Liverpool mund të thuhet se mbajtja e Coutinhos, ishte arritja më e madhe e kësaj merkatoje.

Në Itali, Milani bën një merkato me shumë emra, ku spikat Leonardo Bonucci i ardhur nga Juventusi. Bardhezinjtë afrojnë disa futbollistë, por asnjë emër të bujshëm, ndërsa Inter duket se goditjen më të madhe e ka bërë me trajnerin Luciano Spalletti.

Në Gjermani, goditjen e vetme të madhe, të merkatos në hyrje, e bëri Bayern Munchen, me transferimin nga Reali të kolumbianit James Rodriguez.

Ja 10 transferimet:

  1. Neymar - Braziliani është aktualisht transferimi më i shtrenjtë dhe i bujshëm, i historisë së futbollit.
  2. Mbappe - 18 vjeçari që shkëlqeu me Monakon, përfundoi në qendër të dëshirave të shumë klubeve të mëdha, por zgjodhi ti bashkohet Neymarit te PSG
  3. Dembele - Ish futbollisti i Dortmundit u transferua për një shifër rekord prej 148 milionë eurosh, te Barcelona. Ai erdhi si zëvendësues i Neymar, por pikëpyetjet mbi cilësinë dhe vlerën e paguar për të, janë vërtetë të mëdha.
  4. Walker & Mendy - Manchester City vendosi rekord për transferimin e mbrojtësit më të shtrenjtë, me afrimin e Walker, por e theu sërish vetë, dy ditë më vonë, duke marrë Mendy nga Monako.
  5. Bonucci - Pas shtatë vitesh në nivele të larta, mbrojtësi zgjodhi largimin nga Juventusi, për tu bashkuar me Milanit, ku u vendos në qendër të projektit.
  6. Lukaku - Sulmuesi belg u kërkua me ngulm nga Chelsea, por përfundoi te Manchester United. Mourinho e shikon Lukakun si sulmuesin ideal për të zëvendësuar Ibrahimoviçin.
  7. Morata - U rikthye vitin e kaluar te Reali, por gjeti shumë pak hapësira, të cilat gjithsesi i shfrytëzoi shumë mirë. Conte e mori për të zëvendësuar Diego Costa-n dhe deri tani po e bën shumë mirë
  8. James Rodriguez - Zidane nuk e shikonte si titullar te Reali dhe stoli ishte i papranueshëm për të, ndaj zgjodhi t’i bashkohet një tjetër ekipi të madh, Bayern Munchen.
  9. Rudiger - 24 vjeçari shkëlqeu vitin e kaluar me Romën dhe Antonio Conte nxitoi ta marrë në Londër. Ai shikohet si një nga mbrojtësit më të mirë të së tashmes dhe të ardhmes.
  10. Spalletti - Luciano Spalletti la Romën dhe Championsin, për të drejtuar projektin e Interit. Pa shumë shpenzime dhe me lojtarë efektivë, Spalletti ka ndërtuar një ekip shumë simpatik dhe kjo është reflektuar mjaft mirë me rezultatet në këtë fillim sezoni.

Të fundit