Mbyllet protesta/ Basha: Nuk ka forcë që na detyron për pazare me të keqen

Në mbyllje të protestës së sotme, te selia blu, kryeopozitari Lulzim Basha theksoi se “nuk ka forcë që të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazare me të keqen.” Kjo deklaratë e Bashës ishte mesazh i qartë për kërkesat që po vijnë kryesisht nga ambasadat e huaja, të cilat kërkojnë marrëveshje opozitë-mazhorancë për zgjidhjen e krizës politike.

“Jemi më të vendosur për të sakrifikuar gjithçka për demokracinë”, shtoi më tej kreu i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha ka theksuar disa herë se opozita nuk do të bëjë marrëveshje me mazhorancën për sa kohë në krye të Qeverisë është Edi Rama. Largimi i Ramës nga posti konsiderohet, nga opozita, hapi i parë për zgjidhjen e krizës, për t’i hapur më pas rrugën krijimit të qeverisë teknike, për të organizuar zgjedhje të lira.