Me 2 rreshta/ Ngjarjet kryesore të ditës: çfarë pati rëndësi dje në botë

Mirëmëngjes!

Politiko.al mbështetur në raporte të gazetave amerikane, ju sjell një blic lajmesh nga bota në ‘Posta e mëngjesit’. Për të marrë ‘Postën’ çdo mëngjes me email na shkruani në [email protected]

■ShBA do të japë “deri në 1.2 miliard dollarë” për një kompani britanike barnash për të zhvilluar një vaksinë të mundshme në një laborator në Universitetin e Oksfordit. Marrëveshja me AstraZeneca, me qendër në Kembrixh, Angli, është marrëveshja e katërt dhe deri tani më e madhja për kërkimin e vaksinave që Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore ka zbuluar.

■ Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Facebook, tha në një takim të stafit se brenda një dekade, thuajse gjysma e më shumë se 48,000 punonjësve të kompanisë do të punonin nga shtëpia.

■Turqi: Me një seri fitoresh të shpejta, forcat e mbështetura nga Turqia në Libi kanë zmbrapsur përparimin e një diktatori të mundshëm, Khalifa Hifter. Aleatët e tij, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tani përballen me zgjedhje të vështira.

■Pranimet në Kolegj: Universiteti i Kalifornisë, një sistem prej 10 shkollash, do t’i japë fund përdorimit të testeve SAT dhe ACT si kusht pranimi. Ndryshimi pritet të përshpejtojë ritmin e kolegjeve amerikane për t’iu shmangur testeve të standardizuara, pjesë e shqetësimit se ato janë të padrejta për studentët e varfër, afro-amerikanë dhe hispanikë.

■Boris Johnson: Një agjenci britanike e mbikëqyrjes së policisë tha që nuk do të zhvillojë hetim penal ndaj kryeministrit. Në diskutim ishin pretendimet se si kryetar i bashkisë së Londrës ai kishte bërë favorizime zyrtare për një biznesmen amerikan.

■Teksas: Një ngjarje në një bazë të ushtrisë ishte “e lidhur me terrorizmin”, tha FBI. Sulmuesi u vra, dhe një anëtar i forcës së sigurisë u plagos në sulm.

■Reklama e Volsvagen: Kompania gjermane e makinave u tërhoq dhe kërkoi falje për një reklamë në internet që shkaktoi kritika për imazhet e saj raciste.

■Shefi i spiunëve: Senati miratoi John Ratcliffe për postin më të lartë të shërbimeve inteligjente të vendit, në një votim të ashpër. Kongresmeni nga Teksasi do të marrë përsipër një zyrë në qendër të hetimeve të Shtëpisë së Bardhë për zyrtarët e administratës Obama.

■Vendimi i Presidentit Trump për të hequr dorë nga Traktati i Qiejve të Hapur është tërheqja e tij e tretë kryesore nga marrëveshjet e kontrollit të armëve. Marrëveshja, e negociuar tri dekada më parë, lejon që shtetet të fluturojnë mbi territorin e njëri-tjetrit avionë me sensorë të sofistikuar për të siguruar që ata nuk po përgatiten për veprim ushtarak.

■Propozimi i Kinës për ligje të reja të sigurisë kombëtare do t’i jepte Partisë Komuniste më shumë kontroll mbi territorin gjysmëutonom, dhe plani ka rindezur frikë, zemërim dhe protesta në Hong Kong mbi ndikimin në rritje të qeverisë autoritare.

■Shumë vende pune në Amerikë mund të zhduken përgjithmonë ndërsa shkarkimet rriten, thonë ekonomistët. Numri i kërkesave për benefite të papunësisë arriti tani në 38 milion për nëntë javë.

■Programet e kredive në Uashington u kanë dhënë bizneseve të vogla pak kohë, por kjo nuk do t’u mundësojë shumë prej tyre të shfaqen ‘gjallë’ në anën tjetër të pandemisë.