Me mbi 200 kg drogë dhe logo mobilerie, kapet kamioni në doganën e Bllatës; kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut

Mbi 200 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa është kapur brenda një kamioni nga shërbimet kufitare në doganën e Bllatës. Mësohet se, kamioni me targa AA 450 YE dhe drejtues Florian Alimani nga fshati Gjoricë, me banim në Durrës, kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit, policia ka konstatuar lëndën narkotike të fshehur në brendësi të kamionçinës, ndërsa një pjesë ishte vendosur në një pjesë të ndarë në dyshemenë e kamionit.

Lënda narkotike e fshehur në kamionin me logo mobilerie dyshohet të jetë ngarkuar në Dibër.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare

Policia Kufitare Bllatës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër parandaluan dhe  goditën  një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestohet   në flagrancë  26 vjeçari, i cili tentoi të trafikojë 370 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare  Bllatë, në kuadër të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të trafikut ndërkombëtar të  narkotikëve, kanë shtuar kontrollet dhe bazuar  edhe në bazë të analizës së riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, dhe shkëmbimit të informacioneve me Sektorin për Hetimine  Narkotikëve në DVP Dibër,  kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijë të dytë në dalje të Republikës së Shqipërisë, mjetin kamionçinë tip “Benz”,   me drejtues shtetasin F. A., 26 vjeç, banues në Gjoricë e Poshtme, Bashkia Bulqizë, i cili kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut.

Gjatë kontrollit,  shërbimet e Policisë kanë konstatuar të fshehur në brendësi të kamionçinës lëndë narkotike.  Kontrolli ka vijuar  nga grupi hetimor dhe  Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, ku gjatë kontrollit të imtësishëm  u gjet e fshehur  një sasi prej 370 kg lënde e dyshuar narkotike kanabis , e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore , Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër , bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të  kamionçinës .

Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP-Dibër  në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Prokurorinë Dibër, vijojnë hetimet për  dokumentimin e plotë të skemës së tentativës së trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet procedurale  i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.