Flash News

KRYESORE

Me sak është ‘Reformator i madh’. Ka nisur luftën kundër habisë

Me sak është ‘Reformator i madh’. Ka nisur luftën

Alfred Lela

‘Fundi i marrëzisë’ ishte emri  i një operacioni policor në hapat fillestarë të qeverisë së Ramës së parë. Qëllimi i shpallur ishte rregullimi i sektorit të basteve dhe të kazinove. Disa aksione, disa ndërhyrje, shumë zhurmë dhe, ja ku jemi pesë vjet më pas më keq se ç’kemi qenë.

Nuk keni nevojë të bazoheni te gjykimi ‘i shtrembëruar’ i një gazetari antiqeveritar. Ktheni kokën kur kaloni në rrugë dhe pas çdo 10 hapëshi do të ndeshni një fasadë ftuese me xixa, aladinë dhe ‘fati në dorën tuaj’. Do ta kuptoni se ‘fundi i marrëzisë’ ishte bling-blingu i një operacioni mediatik, por edhe ripozicionimi i klientëve qeveritarë në tregun e lakmuar të kumarit në Shqipëri.

Kryeministri, i cili i ka patur të bujshme aksionet reformatore, dhe ia ka qëlluar në ndonjërin prej nismave, për shembull ka arritur të nxjerrë prej kaosit kronik faturimin e energjisë, duke vendosur njëfarë rendi në sektor, e gjen së fundmi veten, jo nismëtar i një aksioni por subjekt të tij.

Një marrëzi, që ai me ish-ministrin e Brendshëm lejoi të kaplonte Shqipërinë, mbjellja dhe trafikimi i kanabisit, ka ndeshur, jo rastësisht, me fundin e vet. Opozita ia ka dale, më në fund, pas katër vitesh të gjata përpjekjesh titanike, ta vendosë në cep të ringut kundështarin politik. Ramës po i merren këmbët: e ka kuptuar se është ngritur pak pa iu afruar dhjetës eleminuese që rrëzoi Tahirin, por nuk e hedh peshqirin që e ndan me ministrin Xhafaj.

Delegjitimimi i një qeverie që ka humbur dy ministra të Brendshëm në luftën anti-drogë, jo nga pozicioni I luftuesve port ë luftuarve, është farmak i hidhur jobesueshmërie. Me këmbët politike që i merren, ai është në kërkim të një strategjie dalëse. Përgjimet, zbardhjet, intervistat, të rejat që vijojnë të bëhen publike mbi historinë tashmë të vjetër të vëllait të ministrit Xhafaj, e kanë shtyrë kryeministrin drejt një teknike të njohur propagandistike. Delegjitimimi i kundërshtarit, së pari duke ia quajtur gënjeshtër akuzën dhe, së dyti duke shpikur një gënjeshtër, edhe më të trashë se sa pretendimi yt për ‘rrenën’  e tij.

Pasi audio e ‘dëshmitarit X’ u pasua nga intervista e Albert Veliut, makineria propagandistike qeveritare u vu në punë për diskreditimin e ‘të penduarit’ nga Vlora dhe të gazetarit që kishte ndërmjetësuar përgjimin e Agron Xhafajt. Pa harruar edhe teknikën tjetër, aq të përdorur në Shqipëri në rastet e materialeve audio apo video, kontestimi i autenticitetit të tyre.

Kaq vetëm sa për fillim. Kryeministri e tha, si nëpër dhëmbë, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist pas kthimit nga Franca, se droga e kapur në Durrës nga Policia ishte ‘mall’ i Prokurorisë. Në ditët në vazhdim vijuan akuzat qeveritare se droga e Durrësit ishte e një grupi të lidhur me PD. Më shumë se këmbimi i zakonshëm i akuzave ‘droga e Olsit, droga e PD’, kjo ishte përpjekja perfide për ta kthyer kokëposhtë kauzën e opozitës.

Nënteksti është i qartë: këta që na akuzojnë ne për kanabizim dhe duan dekanabizim, merren vetë me trafik droge.

Jemi njëlloj, nuk jemi njëlloj, kush je ti, e kush jam unë… debati publik do të qorrollepsej sërish në një tunel të errët, në thellësi të të cilit mbret është edhe ai me një sy.

Në fund të këtij tuneli nuk ka dritë, sepse nuk ka më habi.

Kjo është nisma e fundit në radhën e aksioneve ‘reformatore’ të Edi Ramës: Luftë habisë. Kur njerëzit të mos habiten më para asgjëje, ne mund të bëjmë çdo gjë dhe të qeverisim deri në fund.

Nuk është fundi i marrëzisë, por marrëzia e fundit.

Të fundit