Flash News

KRYESORE

Më shumë se një orë në LSI, ambasada e SHBA zbardh bisedën e Kim me Kryemadhin

Një ditë pasi u zhvillua takimi më shumë se 60-minutësh në Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ambasada e Shteteve të Bashkuara ka zbardhur para pak minutash bisedën e zhvilluar mes ambasadores Yuri Kim dhe Monika Kryemadhit.

Ambasada njofton se  Kim në bashkëbisedimin me Kryemadhin u përqendrua në reformën zgjedhore.

“Gjatë bisedës së saj me Kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi më 11 shkurt, Ambasadorja Kim u përqendrua në rëndësinë e ecjes përpara me reformat zgjedhore të rekomanduara nga OSBE-ja dhe mirëpriti angazhimin demokratik të LSI-së për të siguruar miratimin e saj sa më shpejt. Ambasadorja dhe Kryemadhi biseduan gjithashtu edhe për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit për të rritur mundësitë ekonomike për shqiptarët”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ndërkohë vetë Kryemadhi, një ditë më parë, në postimin e saj në lidhje me takimin me ambasadoren Yuri Kim tha se gjatë takimit ka shprehur mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e Ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim.

Të fundit